“Vriteni virusin dhe jo bizneset”, gastronomët po kërkojnë lirimin e masave antiCOVID-19

“Vriteni virusin dhe jo bizneset”,  gastronomët po kërkojnë lirimin e masave antiCOVID-19

“Boll Ma”, “Le të kërcejmë”, “Vriteni virusin dhe jo bizneset”, janë mbishkrimet e vendosura në panakratat që mbanin në duar përfaqësuesit e gastronomisë të cilët protestuan para objektit të Qeverisë së Kosovës. Ata po kundërshtojnë masat antiCOVID-19 e po kërkojnë lirimin e tyre.

Zgjatja e orarit për të gjitha kategoritë deri në ora 01:00 pas mesnatës, lejimi i punës në sallat e dasmave sipas manualit të IKShPK-së, të kërkohet certifikata e vaksinimit për vaksinën e plotë ose të paktën një dozë, ose testi PCR jo më i vjetër se 72 orë, të bëhet subvencionimi i pagave të punëtorëve, sallave të dasmave, klubeve të natës që nuk kanë punuar po thuajse 600 ditë, të mbulohen  shpenzimet operative për vitet që kanë pasur humbje, shtyrja e pagesave e afateve të kredive si dhe zgjatja e vendosjes së TVSH-së në shitje prej 8% të paktën deri në dhjetor të 2023, kanë kërkesat e gastronomëve drejtuar Qeverisë.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit , Hysen Sugojeva thotë se masat u vendosen pa u konsultuar me përfaqësuesit e bizneseve.

“Sot jemi këtu duke protestuar për të liruar masat e fundit që janë marrë pa u konsultuar fare me ne e të cilat çdo ditë e më shumë po i kushtojnë juve dëme të mëdha. Përderisa pushtetarët po mbajnë  darka lame, fushata politike me mbi 1 mijë njerëz duke zgjatur orarin të vendosur vetë ata, dhe neve nuk na lejohet të punojmë, ku është e drejta këtu. Edhe pse jemi në përparësi me procesin e vaksinimit, 60.01% të popullsisë të vaksinuar me dy doza,66 % e nga një dozë pra po thuajse jemi të imunizuar dhe prapë se prapë nuk ka ndikuar fare të infunzionohemi financiarisht por kanë vepruar në mënyrë paradoksale duke na mbyllu e duke na izoluar”, ka thënë ai.


Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, ka paralajmëruar edhe një protestë më të madhe nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

“Ne sot kemi dashtë ta bëjmë një paralajmërim të një proteste ende më të madhe, ne duam ta dëshmojmë edhe sot se ne nuk jemi të dhunës por jemi të punës. Kështu që po ju kërkojmë hapjen tonë , nëse nuk keni subvencionim për me na mbajte atëherë na leni të punojmë. Tre muaj ditë nuk na kanë kthyer emali Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave, kjo është për marrë”, ka shtuar Kllokoqi.

Kurse këngëtari, Afrim Muqiqi, tha për KosovaPress, se kjo protestë duhet të jetë një sinjal për Qeverinë.

“Kjo është një sinjal për qeveritarët tanë që të reflektojnë sepse ky numër mund të tridhjetëfishohet në çoftë se ne i marrim ata punëtorë edhe familjarë. Kërkesat janë shumë të thjeshta jo të dyfishta por lejimin e punës me standarde që i qet shteti. Mos t’i lejojmë qytetarët e Kosovës që paranë tonë ta hedhin në shtetet fqinje ndërsa ekonomia jonë të pësojë sepse ata qytetarë prapë kthehen në Kosovë. Stop këtij diskriminimi sepse jemi pjesë e këtij vendi dhe nuk ka logjik që sallat e dasmave ku ne i mbajmë familjet tona të ndalohet ndërsa subjektet tjera të lejohen të punojnë, pse i kemi marrë vaksinat, kjo për ndryshe mundet me qenë edhe një sensibilizim i jashtëzakonshëm që qytetarët të marrin vaksina dhe ata të vaksinuarit ta vazhdojnë një jetë normale me rregulla që i qet shteti”, tha ai.

Lexo edhe

Video