Vrasja për borxhin 60 mijë euro në Ferizaj, të akuzuarit dënohen me burg dhe gjobë

Vrasja për borxhin 60 mijë euro në Ferizaj, të akuzuarit dënohen me burg dhe gjobë

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka dënuar me 16 vjet burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, A.R.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Mustaf Tahir i akuzuari tjetër A.R.1 është shpall fajtor dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet, edhe F.R. është shpall fajtor dhe i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy vjet; të pandehurit A.R.2. gjykata i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej një vit e tetë muaj dhe të pandehurin D.K, e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër vjet e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej  2 mijë e 500 euro.

A.R akuzohet se 3 vite më parë, më saktësisht më 28.02.2018 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin B.H. Krejt kjo kishte ardhur për shkak të një mosmarrëveshje të një borxh prej 60 mijë euro, lidhur me një veturë të markës BMË-X5 të cilin i pandehuri i kishte shitur D.K, me ndërmjetësimin e të ndjerit.


“I pandehuri A.R. akuzohet se më 28.02.2018 në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin B.H., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje lidhur me një borxh në shumë prej 60.000 euro, lidhur me një veturë të markës BMW-X5 të cilin i pandehuri i kishte shitur D.K., me ndërmjetësimin e tani të ndjerit, e të cilin borxh D.K. sipas marrëveshjes është dashur ta paguaj deri me datën 28.02.2018. I pandehur i shoqëruar me axhën dhe dajën e tij kanë shkuar në Prishtinë për ta kërkuar borxhin, mirëpo D. ju thotë se do të vij në Ferizaj dhe e paguaj borxhin, kështu që ata janë kthyer ne kafeterin e tyre, kurse D. dhe i ndjeri B. kanë arritur në të njëjtin vend më vonë me ç’rast  D. iu thotë se “ ju ma keni shqetësuar familjen qe keni ardhur tek shtëpia ime dhe këtë punë nuk e lan as hoxha e as prifti”, kështu qe i pandehuri së bashku me babain dhe vëllezërit e tij (pjesëmarrës në rrahje), janë revoltuar dhe ka filluar fyerja reciproke mes tyre, kurse F. e nxjerr jashtë tani të ndjerin B., por B. godet F. me kokë në pjesën e hundës dhe e rrëzon në tokë, atëherë dalin edhe i pandehuri A.R, A.R.1. dhe A.R.2. dhe fillon rrahja, atëherë B. fillon të ik, kurse i pandehuri A.R. nxjerr pistoletën dhe shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit, me ç’rast njëra predhë e godet ne pjesën e nën gjurit të këmbës së majtë, kurse predha tjetër në regjionin e shpinës duke dal në buzën e poshtme të gojës, e cila shqyen arterien karotide të majtë, kurse i ndjeri rrezohet ne skaj të rrugës dhe në gjendje të shtrire i pandehuri së bashku me babain dhe vëllezërit e tij fillojnë ta godasin me shqelma në të gjitha pjesët e trupit duke i shkaktuar lëndime trupore, kurse si pasoje e gjakderdhjes i ndjeri B.H. ndërron jetë në vend të ngjarjes”, thuhet në aktgjykim e dërguar nëpërmjet një komunikate nga zyra për media e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Në këtë rast “i pandehuri D.K. akuzohet se më 13 janar 2018 në Ferizaj, me paraqitje të rreme të fakteve, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, ka mashtruar pronarin e auto sallonit A.R.1., në atë mënyrë që ka lidh një kontratë për blerjen e automjetit “BMË X5.30 Xdrive, për çmimin prej gjashtëdhjetekatërmijë (64.000.00)€, me ç’rasti ka paguar 4.000 euro kurse shumën tjetër është dashur ta paguaj me 28.02.2018, mirëpo i pandehuri veturën e ka shitur, kurse paratë nuk ia ka paguar në afatin e caktuar, por ka shkuar te i dëmtuari kinse për të kërkuar afat shtesë, me ç’rast ka filluar të fyej, me arsyetimin pse i kane shkuar te shtëpia për të ia kërkuar borxhin duke ju thënë “se këtë punë nuk e lanë as prifti as hoxha “, kështu që ka filluar konflikti fizik ne mes tij dhe të dëmtuarit ku janë përfshirë edhe vëllezërit dhe babai i të dëmtuarit dhe shoku i tij B. i cili ka ndërruar jetë si pasoj e plagëve nga arma e zjarrit”.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.