Pas takimit mes Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, e para e drejtësisë ka adresuar propozimet e tyre për personat që kryejnë dhunë në familje dhe femicid.
Haxhiu ka thënë se ky fenomen tashmë është armiku ynë i brendshëm e me rrezik shumë të madh.Ministrja Haxhiu para gazetarëve tha se që nga vitit 1999 e deri më sot janë vrarë 99 gra nga burrat apo partnerët e tyre.
Në konferencë për media pas takimit me udhëheqësit e institucioneve të sigurisë e drejtësisë, Haxhiu tregoi propozimet ndaj këtij femicidi.
Ministrja e Drejtësisë theksoi se janë mbi 200 raportime në baza mujore në Policinë e Kosovës për dhunë të burrave ndaj grave.
Ajo poashtu dënoi ashpër gjuhën e urrejtjes në rrjete sociale, si në rastin e 21-vjeçares në Ferizaj, e poashtu edhe në rastin e sotëm në Pejë, derisa kërkoi që një gjë e tillë të monitorohet.
Haxhiu bëri thirrje që secili prokurorë e gjyqtarë e kushdo që ka përgjegjësi, të marrin detyrën me përgjegjësinë më të lartë.
Pas konferencës për media, Haxhiu do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.