Inspektorati Policor i Kosovës, sot ka informuar se ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të Stacionit policor të Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve lidhur me rrjedhën e ngjarjeve që kanë të bëjnë me vrasjen e gruas shtatzënë nga ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare, ka bërë të ditur se ka filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për “Dhunë në familje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës”. Sipas IPK-së, këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan, i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes e palës së mbrojtur H.M .
Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri te dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar ” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar “. Nga veprimet hetimore deri më tani, siç është bërë e ditur në komunikatë, si të dyshuar për këto vepra janë katër zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan (Komandanti i Stacionit Policor në Lipjan, një rreshter dhe dy hetues).
Inspektorati ka shtuar se duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore nga IPK është rekomanduar suspendimi i këtyre zyrtarëve policorë.
“Veprimet tjera hetimore do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë it me Prokurorinë e Shtetit.”, ka shtuar IPK.
Ndryshe, të mërkurën në mbrëmje Sokol Halili ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, Hamide Magashin, pranë Klinikës së Gjinekologjisë.
Mes lotësh, dje në Lipjan i është dhënë lamtumira e fundit shtatzënës Hamide Magashi, ndërsa Sokol Halili ka bërë vetëvrasje.