Vrasja e dyfishtë në Pejë, Nikçi: Hetimet po zhvillohen në disa pista

Dy trupat e pajetë të Astrit Ademaj dhe Bleran Kadrijaj, me urdhër të prokurorit të shtetit janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ende nuk dihen motivet për vrasjen e dyfishtë në Pejë, ndërkohë që vendin ku ndodhi ky rast që nga mëngjesi janë duke u vërë hetimet. Aty janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat që lanë të vdekur këta persona.

Zyrtari për informim në Prokurorinë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha se në vendin e ngjarjes janë kryeprokurori, prokurorja e rastit dhe hetues policor.

“Mbrëmë si pasojë e të shtënave me armë zjarri, dy persona kanë mbetur të vdekur, ndërkaq një person është plagosur. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitë policore në krye me kryeprokurorin dhe departamentit të përgjithshëm… me ç’rast janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe gjithashtu ju njoftoj se sot gjatë ditës kryeprokurori me prokuroren me hetuesit policorë kanë dalë në vend të ngjarjes dhe në mënyrë intensive janë duke u bërë hetimet që të zbulohet më shumë rrethanat e këtij rasti tragjik”, ka thënë Nikçi.


Ai ka treguar se çfarë është gjetur në këtë vend, pasi që mund të dëmtojë procesin e hetimeve.

“Janë sekuestruar dy armë dhe gëzhojat që dyshohet që janë përdorur për tu kryer kjo vepër. Dy trupat e pajetë të viktimave janë dërguar me urdhër të prokurorit të shtetit për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe derisa të përfundojnë të gjitha veprimet hetimore, duhet të jemi të rezervuar për shkak se është rasti i ndjeshëm dhe njëkohësisht mund të dëmtojmë hetimet”, u shpreh ai.

Ai nuk ka dhënë detaje nëse ka të arrestuar të tjerë, veçse ka shtuar se janë disa pista ku po zhvillohen hetimet.

“Ajo çfarë mund të ju konfirmoj është se në disa pista janë duke u zhvilluar hetimet. Pasi të përfundojnë hetimet do të dalim me një njoftim zyrtar se çka ka ndodhur dhe cili ka qenë motivi”, tha Nikçi.

Mbrëmë në Pejë pas gjuajtjes me armë, kanë vdekur kandidati i PDK-së për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj dhe zyrtari i po kësaj partie, Blerand Kadrijaj. Vëllai i Astritit është plagosur, i njëjti është në mbajtje.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.