Votuesit kanë votuar edhe për koalicionin LVV-LDK

Votuesit kanë votuar edhe për koalicionin LVV-LDK

Shkruar nga: Nijazi Idrizi

“Udhëheqësit kosovar, për shkak të interesave personale, e kanë humbur aftësinë për të bërë kompromise gjithëpërfshirëse, që me mençuri të heqin dorë nga disa interesa të sotme jofitimprurëse, për hir të fitimeve shumë të mëdha që mund ti arrijë vendi në të ardhmen”.

Kosova po hynë në vitin 2020 pa institucione të reja. Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit tregoi se votuesit si asnjëherë tjetër, kësaj radhe kanë votuar në radhë të parë koalicionin paszgjedhor i cili duhet ta qeverisë Kosovën në 4 vitet  e ardhshme. Më 6 tetor, në një far mënyre janë mbyllur edhe bisedimet për ndarjen e pushtetit në mes të LV dhe LDK. Mandatarin e Qeverisë duhet ta propozoj LV, ndërsa Presidentin, LDK. Kombinimet kalimtare, deri sa ta liroj vendin Presidenti aktual, janë teknike. Tashmë u bë e çartë se votuesit, për pozitën e Kryeministrit, në mes të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e kanë zgjedhur të parin, jo për tjetër, por për shkak të përvojës që ka fituar në ballafaqimin me Serbinë dhe besimit se do të jetë në gjendje ta ndaloj rrënimin e mëtejshëm që ia ka bënë Kosovës tandemi Vuçiq&Thaçi.

Duhet të përmendet se risi të këtyre zgjedhjeve ishin pajtimi paraprak i LDK dhe LV për emërimin e mandatarit nga fituesi i zgjedhjeve, me qëllim të braktisjes së traditën së keqe të xhambazëve që bënë pazare për këtë pozitë. AAK si parti minore, nuk do ta dhunoj më qytetarin tonë, duke e qeverisur Atdheun tonë pa e marrë besimin e votuesve, siç ka ndodhur deri tashti në disa mandate dhe PDK në një mandat.

Risi tjetër është edhe zotimi i dy partive fituese që të përgjysmohet numri i ministrive të shtuara për joshjen e koalicioneve joparimore. Ky vendim pritet të jetësohet me miratimin e Ligjit mbi Qeverinë e Kosovës, i cili duhet ta mbyllë këtë temë tagjie.
Zvarritja e marrëveshjes në mes të LV dhe LDK i ka irrituar votuesit  të cilët kanë besuar se kanë bërë zgjedhjen e duhur për ndryshimin e kësaj gjendje të pashpresë. Sipas opinioneve të tyre, të paktën janë 3 arsye të zvarritjes së kësaj marrëveshje:

1. Frika nga Qeveria Kurti, e cila po mbillet nga disa drejtime: Nga disa parti të kotrumit të cilat kanë qeverisur me krim të organizuar, e që kanë frikë se suksesi eventual i saj mund ti shlyejë nga regjistri i KQZ-së dhe ti nxjerr para përgjegjësisë ligjore; nga Serbia e cila e di se në bisedimet e ardhshme përball nuk do ta ketë një person të dobët, si deri tashti, për të cilin nuk do të ketë vija të kuqe të temave që bisedohen; nga disa shtete anti Kosovë, të cilat kanë frikë se kjo qeveri mund ti prish ekuilibrat e politikës globale; nga klanet politike në Shqipëri dhe Maqedoni të cilat kanë frikë se kjo frymë e re do t’ua prish rehatllëkun e sundimit etj.


2. Shtimi i presionit dhe shantazhit ndaj disa drejtuesve të LDK-së, (nga disa drejtime), për ta ndaluar të bëjë koalicion me LV, duke i frikësuar se LV do ti djeg ata që janë hisedar të Marrëveshjeve të dëmshme Ndërkombëtare, hisedar në terminale dhe në plaçkitje të shtetit. Theksimi i shpeshtë i Vettingut nga ana e LV, po përjetohet si mesazh tmerrues nga disa figura vendimmarrëse në LDK.

3. Ushqimi i frikës nga vet LDK se suksesi i qeverisjes Kurti mund t’ia absorboj elektoratin e moshës së re dhe ta shndërroj këtë parti në satelit të LV, sipas shembullit të LDD-së së Nexhat Dacit, apo edhe të koalicionit joparimor të PAN-it i cili ishte rrënues për: AKR, PD, Nismën dhe lodhje të AAK-së.

Rrënimi i Kosovës është i madh, ama vullneti për ndryshim është edhe më i madh. Por për fat të keq, kapacitetet profesionale dhe përvojat në qeverisje të LV janë në shpërputhje me pritjet e votuesve. Megjithatë çdo punë e mirë e Qeverisë së ardhshme, do të jetë rritje e shpresës për një Kosovë ndryshe.

Sot, mbi të gjitha, nga votuesit kosovar do të vlerësohet kontributi i LDK-së si parti e traditës, në thyerjen e këtij ngërçi për ti dhënë shans zotimit për ndryshimin e Kosovës. Në këtë situatë, asaj iu është dhënë shansi të bëhet bashkautore e ndryshimit. Kjo do të mbahet mend nga votuesit dhe do të shpërblehet.

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, pritja që këtë gjendje ta zgjidhin emisarët e shteteve mike, mbetet opsion real. Përndryshe, shkuarja në zgjedhje të parakohshme, do ta bëjë LV fituese absolute, por të pamerituar, si reaksion i shpërthimit të pakënaqësive, ndërsa LDK-në mund ta përgjysmoj.

Lexo edhe

error: