Votimi përmes postës fillon nesër, fushata zgjedhore më 16 shtator

Të enjten më 16 shtator do të fillojë zyrtarisht fushata e partive politike për zgjedhjet lokale. Pavarësisht rrethanave të krijuara nga COVID 19, kjo u konsiderua si çështje e rregulluar me ligj dhe se nuk mund të ndryshohet.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së u bë e ditur se votimi me postë për mërgimtarët do të fillojë nga nesër deri më 15 tetor. Derisa, u miratua edhe numri i saktë i fletëvotimeve për zgjedhjet e 17 tetorit.

Kryesuesi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Kreshnik Radoniqi iu kërkoi subjekteve politike dhe mbështetësve të tyre të respektojnë masat antiCOVID-19 gjatë fushatës, ligjin dhe rregullat e vendosura nga KQZ-ja.

“Nga data 16 shtator fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, periudha e fushatës së zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet përkundër rrethanave të krijuara. U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre që gjatë kësaj periudhë në mënyrë strikte t’iu përmbahen ligjeve dhe rregullave të KQZ-së. Duke pasur parasysh se vendi gjendet në situatë të rëndë për shkak të pandemisë, si pasojë e infektimeve dhe vdekjeve të shumta nga COVID-19, dua t’i bëj thirrje subjekteve politike dhe kandidatëve që të respektojnë masat mbrojtëse dhe kufizimet e vendosura nga Qeveria”, tha ai.

Krahas kësaj, Radoniqi bëri të ditur se nesër do të fillojë votimi përmes postës për votuesit nga jashtë Kosovës.


 “Nesër fillon periudha e votimit me postë dhe përfundon më 15 (tetor)”, tha ai.

Në ditën e zgjedhjeve, do të jenë në dispozicion 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kandidatët për kryetar të komunave, ndërsa e njëjta do të jenë edhe për asambletë komunale.

Ani pse numri i qytetarëve që kanë të drejtë vote është 1 milion e 885 mijë, KQZ ka shtypur 186 mijë e 848 fletëvotime më pak se votues apo 9.91 për qind dhe kjo është një praktikë e ndjekur edhe në proceset e kaluara zgjedhore.

Paraprakisht këto të dhëna i bëri të ditura, Arianit Elshani nga Këshilli për Operacione Zgjedhore.

“Bëhet fjalë për 1 milion e 698 mijë e 600 fletëvotime për kryetar komunave, bëhet fjalë për 1 milionë e 698 mijë e 600 fletëvotime për kuvende komunale dhe bëhet fjalë për 16 mijë broshura të cilat do të shpërndahen në kabina të votimit”, tha ai.

Po thuajse gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur gatishmërinë për shkurtimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale. Ani pse me ligj pritet të fillojë të enjten e kësaj jave, nuk dihet si do të veprojnë të njëjtit.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.