Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori sot vendim për zgjatjen e afatit për aplikim për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i tyre në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut që do të mbahet më 21 prill 2024. Ky afat, që sipas planit të aktiviteteve ishte paraparë të përfundonte më 3 prill, sipas vendimit të KQZ-së është shtyrë deri më 5 prill 2024. Sipas KQZ-së, ky vendim ka për qëllim t'i ofrojë më shumë kohë shtetasve të Kosovës me të drejtë vote dhe që janë të interesuar të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj tha se deri më 2 prill kanë pranuar vetëm dy kërkesa për regjistrim përmes platformës elektronike. Në anën tjetër, KQZ-ja mori vendim edhe për miratimin e përmbajtjes së fletëvotimi dhe pyetjes që do t’u parashtrohet votuesve me 21 prill në fletëvotim. /E.Zeqiri