Von der Layen: Marrëdhëniet me Rusinë varen nga sjellja e Moskës

Von der Layen: Marrëdhëniet me Rusinë varen nga sjellja e Moskës

Bashkimi Evropian dëshiron që Moska të ulë tensionin që krijoi duke grumbulluar trupa në kufirin me Ukrainën dhe Brukseli është i gatshëm të forcojë sanksionet kundër Rusisë në rast se ajo sulmon këtë vend fqinj, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Layen.

Duke iu drejtuar shtypit së bashku me kancelarin e ri gjerman Olaf Scholz, presidentja e Komisionit tha sot se BE-ja dëshiron marrëdhënie të mira me Rusinë, por se ato varen nga mënyra se si do të sillet Moska.

“Ne duam de-përshkallëzimin dhe fundin e çdo agresioni kundër fqinjëve të Rusisë. Përndryshe, BE do të përpiqet të forcojë sanksionet e tij dhe të marrë masa të tjera në sektorin ekonomik dhe financiar, në marrëveshje me partnerët tanë”, tha von der Layen në një konferencë për shtyp, transmeton Reuters.


Ajo theksoi se Brukseli dëshiron marrëdhënie të mira me Rusinë, por se kjo varet në radhë të parë nga Moska, e cila, siç tha ajo, mban një qëndrim kërcënues ndaj fqinjëve të saj dhe në këtë mënyrë minon sigurinë e Evropës.

Presidentja e Komisionit tha gjithashtu se agresioni rus kundër Ukrainës do të kishte çmimin e vet, por ajo nuk donte të thoshte drejtpërdrejt nëse një veprim i tillë i Moskës do të shkaktonte sanksione të BE-së kundër gazsjellësit rus Nord Stream 2.

“Si Komisioni i BE-së, ne morëm një detyrë nga Këshilli Evropian në qershor për të zhvilluar opsione për Rusinë, dhe këtë e kemi bërë tani. Çdo agresion duhet të ketë një çmim, kështu që ne do t’ia komunikojmë ato opsione Rusisë, por nuk do t’i paraqesim ato para publikut”, tha von der Layen.

Ajo theksoi gjithashtu se Komisioni udhëhiqet nga parimi i rëndësishëm se energjia nuk mund të jetë mjet për të ushtruar presion dhe se siguria energjetike evropiane duhet të garantohet.

Lexo edhe

Video