Vizita e Lajçak shihet vetëm si e karakterit informues

Vizita e sotme në Kosovë e emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak po konsiderohet vetëm si e karakterit informues mbi procesin zgjedhor në Kosovë, formimin e institucioneve dhe këndvështrimet për vazhdimin e dialogut. Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se nuk duhet pritur diçka të veçantë nga qëndrimi tre ditorë i Lajçak në Kosovë.

Drejtori i instituti “Epik”, Demush Shasha thotë për KosovaPress se vizita e Lajçak në Kosovë është një mundësi e mirë për shkëmbimin e mendimeve për perspektivën e dialogut, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Ndërkohë shton se pas konstituimit të institucioneve në vend, mund të ketë rifillim të dialogut, mirëpo pa ndonjë progres të ndjeshëm drejtë marrëveshjes përfundimtare.

“Vizita është e karakterit informues, nuk duhet pritur që do të prodhojë diçka në veçanti. Është informues në dy kuptime, e para zotëri Lajçak do të informohet nga të gjithë spektri politik sa i përket këndvështrimeve të tyre lidhur me procesin zgjedhor dhe hapave para nesh për ngritjen e institucioneve të reja. E dyta, zotëri Lajçak do t’i informojë palët për këndvështrimet e tij përkitazi me dinamikën dhe thelbin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Pra me pak fjalë konsideroj se do të je të mundësi e mirë që palët të shkëmbejnë mendime për të ardhmen dhe perspektivën e dialogut…Rifillim të dialogut pres, sa do të jetë i shpejtë ose jo do ta shohim. Mirëpo do të ketë një rifillim të dialogut, por ajo që nuk pres është ndonjë progres të ndjeshëm”, thotë ai.


Me karakter më shumë informues këtë vizitë të Lajçak e sheh edhe Visar Xhambazi nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

“Një takim informues, gjithashtu edhe një takim për të marrë disa garanci nga Lëvizja Vetëvendosje dhe zotëri Kurti se megjithë deklarimet e tij, dialogu prapë se prapë do të mbetet një ndër prioritetet kyçe të Kosovës gjatë mandatit të tij qeverisë”, thotë ai.

Lidhur me deklaratat se krerët institucional dhe politikë në vend nuk duhet ta presin Lajçakun, pas paraqitjes së tij para një harte ku Kosova paraqitet vetëm me vijë administrative në kufirin me Serbinë, Xhambazi thotë se Lajçak duhet pritur në Kosovë sepse përfaqëson BE-në, e jo veten e tij.

Krerët institucional në Kosovë duhet të takohen sepse ai nuk përfaqëson vetëm vetën e tij, por përfaqëson institucionet e BE-së dhe e njëjta është mbështetësi më i madh i Kosovës nga të gjithë aktorët ndërkombëtar”, thotë ai.

Lajçak pritet të qëndrojë në Kosovë tri ditë, derisa nuk ka bërë publike agjendën e takimeve me liderët institucional dhe politikë në vend.

Lexo edhe

Video

error: