Vizioni për një ballkan të hapur

Vizioni për një ballkan të hapur

Bisedë virtuale me mikun tim Agimin

– Përshëndetje Agim si je?

-Përshëndetje i nderuar, mirë faleminderit.

-A e ke parë ndonjë ëndërr mbrëmë?

-Hahahaaaaaa. Ku po të shkon ty mendja drejt e te ëndrrat. Ok ç kemi?

-Tërë natën jam menduar për këtë situatë në vendin tonë. Pandemia, varfëria, keqpërdorimet, korrupsioni, nepotizmi, demagogjitë, primitivizmi, e çka jo tjetër?

-Ani de se nuk i kemi punët edhe aq keq. E kemi qeverinë e re, ministrat e ri, presidenten e re, me aleatë i kemi punët mirë, pandemia është nën kontroll, ekonomia në lulëzim e sipër, sigurimi shëndetësor po na bëhet, rrogat do të na rriten, pensionet gjithashtu, arsimin në nivel të lartë, etj.

– Hahahaaaaaa. E vërtetë është se kemi qeveri, porse shtrohet pyetja se sa është duke i kryer detyrat shtetërore kjo garniturë qeveritare? Qeveria nuk duhet të jetë qëllim i vetvetes, sepse atëherë ajo do t’i përmbushte gjitha kriteret e një tipi oligarkik qeveritar, i modelit  të faraonëve, ku 99% e popullsisë jetojnë në një situatë faktike, ku mirëqenia sociale figuron e shkruar në letër, ndërsa praktika e vërteton se njerëzit jetojnë në kushte tejet të vështira sociale për shkak të politikave të pa përgjegjshme të sistemit oligarkik në fjalë. Jo rastësisht në Athinën e vjetër populli ishte ai i cili vendoste për fatin e tij, jo vetëm kur i zgjidhte organet  drejtuese por edhe në kohën kur organet e republikës duhej të qeverisnin. Pra bëhej fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë e cila ndodhi shumë shekuj më parë për dallim prej demokracisë së sotme, e cila është e tërthortë dhe mundësia për të manipuluar dhe keqpërdorur besimin e votuesve-popullit është shumë e madhe, natyrisht ku ndarja e pushteteve figurativisht në letër ekziston, ndërsa e vërteta në kohë dhe hapësirë reale dëshmon uzurpim të pushteteve shtetërore nga grupi i caktuar oligarkik. Më e keqja në këtë kontest politiko-civil dhe ekonomiko-social është hipnotizimi  dhe nënshtrimi, apo skllavërimi i masës së gjerë duke përdorur teknika, taktika dhe metodika të punës ku krijohen dy lloje të presionit, njëri që thirret në ligj dhe ligjshmëri e tjetri në moral. Kur përmbushja e interesit të oligarkëve domosdo kërkon thirrje në emër të ligjit, ata përdorin ligjin, jo vetëm për ti shtrënguar radhët e klasës së pa fuqishme të njerëzve, që në tryezën e tyre sundon përsheshi me ujë, por edhe për t’i futur frikën në palcë, ndërsa shkelësit arbitrar të ligjit janë pikërisht këta oligarkë.

 Ndërsa instrumentin psiko-social të njohur si moral me qëllim të moralizimit të kauzave sa fiktive, aq edhe të rrejshme dhe mashtruese përfundimisht e përdorin aq fort sepse e kanë studiuar shpirtin e ndershëm të popullit dhe duke u thirrur në kauza të tilla, jo vetëm që e manipulojnë dhe e skllavërojnë, por e degjenerojnë dhe përçajnë në tërësi substancën kombëtare, edhe pse populli fare mirë e di të vërtetën, detyrohet ta ha sapunin për djathë.   

Të qenit patriotë i mirëfilltë dje dhe sot shquhej dhe vlerësohej nga bashkëkombësit, ose bashkështetasit si shkalla më e lartë e vetëdijes shoqërore për t’i dalë zot interesave kolektive. Pra një akt sa i ndershëm aq edhe vet sakrifikues, sepse jo çdonjëri do ta kishe këtë mundësi, ngase ajo varet prej një mori faktorësh, me natyrë natyrore dhe shoqërore, e që do të nënkuptohej fuqia e gjenetikës përballë fuqisë shoqërore, ose anasjelltas, apo që të dyja këto fuqi në harmonizim të plotë në përmbushje të qëllimit të synuar. Ja që këtë institut sa shoqëror, moral, aq politik dhe përfundimisht historik në të ardhmen e afërt do ta gjejmë të postuar në një pikë të vetëdijes së përgjithshme shoqërore se patriotizmi më i madh i të gjitha kohërave, po mendoj në një perspektivë ku pritet një ditë botën ta udhëheqë elita e mendjendriturve, ky patriotizëm do të ketë një emër qytetar bashkëkohor pa paragjykime, pa nacionalizëm, i zhveshur nga primitivizmi, stereotipet, antisemitizmi, arroganca, urrejtja, racizmi, segregacioni dhe të gjitha karakteristikat e tjera negative që për fat të keq gjithandej globi i ka të njohura në praktikat e organizimit shoqëror.

  Se ndjenja e inferioritetit e kishte ngulfatur në të gjitha fazat e historisë shtresën e varfër (është e njohur për secilin prej nesh)-e varfër pasi që nuk dinte dhe s kishte mundësi t’i bashkëngjitej shtresës së pasur të manipulatorëve, të cilët kanë krijuar pasuri në mënyra të pandershme, duke i shfrytëzuar mundësitë, të cilat ua kishte krijuar vakuumi ligjor.

-Për fat të keq më duhet të ju japi të drejtë i nderuar, sepse në shoqërinë tonë ekziston një vakuum ligjor, nuk respektohen ligjet, sidomos prej atyre që i kanë instaluar ato e deri te ata që më së paku kanë mundësi që të ndërmarrin vendime, apo veprime të cilat nuk janë në dorën e tyre. Të gjitha qeveritë e kaluara kanë abuzuar me ligjet dhe me shtetin e brishtë tonin, duke bërë keqpërdorime të natyrave të ndryshme, si me buxhetin e shtetit, nepotizmin dhe korrupsionin në organet administrative. Kjo për faktin se pushtetarët përditë e më shumë po dalin se kanë abuzuar me fondet e vendit, me vendet e punës dhe me politikat zhvillimore.


 Ne jemi dëshmitarë të shumë keqpërdorimeve të cilat kanë ndodhur dhe po ndodhin: se një zyrtar i mbante deri në tetë vende të punës në kohën kur të rinjtë tanë po ikin përjashta në mungesë të punës. Nëpër borde të ndryshme njerëz të pa ndershëm i caktonin vetes rroga marramendëse deri në 12 mijë euro në muaj, duke e keqpërdorur buxhetin e varfër të shtetit. Jepen tendera me çmime më të shtrenjta se sa në rajon dhe nuk realizohen ato, sepse po vidhen më shumë se gjysma. Vidhen barërat nga spitali kështu që pacientët detyrohen që të blejnë barëra për shërimin e tyre, kurse pjesë e madhe e mjekëve që kanë ordinanca private nuk u kryejnë shërbime pacientëve, por i drejtojnë ata drejt klinikave private dhe atje i rrjepin paq.

E kemi një shtet parazit, i cili nuk prodhon pothuajse asgjë dhe jeton nga doganat, me një administratë të tejngarkuar prej punëtorëve, të cilët për shkak të numrit të madh nuk mund të marrin rroga të dinjitetshme, por marrin paga të vogla në krahasim me pushtetarët e tjerë që punojnë nëpër ministri e parlament, të cilët i kanë rrogat 50 fish më të larta se sa rroga minimale, çka e bën vendin tonë shtet të veçantë në rajon për nga pabarazia në të ardhura. Vidhet gjithkah në infrastrukturë, asfalti shtrohet më i dobët, i cili prishet brenda muajsh, rrugët bëhen më të ngushta, çmimet e furnizimit për popullin janë më të shtrenjtat, kurse të ardhurat më të vogla në rajon, korrupsioni lulëzon, sistemi i drejtësisë i korruptuar, nuk mund të kryesh punë në administratë për pa dhënë ryshfet, etj. Në anën tjetër sektori privat është në gjendje shumë të keqe për shkak të infrastrukturës së dobët ligjore dhe kushteve në të cilat punojnë ato.

  Këto janë disa nga abuzimet e shumta që janë bërë me pushtetin në vendin tonë deri sa kanë qenë qeveritë e mëparshme deri te qeveria aktuale,  mirëpo me sa po shihet edhe kjo qeveri nuk po tregon shenja se dallon për ndonjë nuancë prej atyre të parave. Jo vetëm që nuk ka ndonjë dallim në çështjet dhe abuzimet e përmendura, por përkundrazi po del të jetë edhe më e prapambetur se sa ato të parat, pasi jo vetëm që nuk po arrin të bëjë ndryshime, por përkundrazi e ka izoluar vendin nga faktorët ndërkombëtar siç janë SHBA të dhe BE, si dhe largimin e saj nga Shqipëria, duke e shkaktuar një përçarje të madhe mes një pjese të shqiptarëve të Kosovës (pasuesit e Kurtit) dhe një pjese të shqiptarëve të Shqipërisë (pasuesit e Berishës). Nga statistikat e punës së kësaj qeverie del se për nga performanca e saj është ndër më të dobëtat që ka qenë ndonjëherë, pasi vendi është futur në kolaps pandemie për shkak të refuzimit të Kurtit, për të pranuar donacion nga Shqipëria rreth 70 mijë vaksina, Arabia me 1000000 vaksina, Turqia me 200000, polonia me 20000, etj me pretekstin se nuk pranon vaksina të prodhimit kinez si dhe hezitimi i kësaj qeverie për të arritur marrëveshje me kompanitë e ndryshme botërore për të blerë vaksina prej tyre. Pra Kurti vendosi që të bëj eksperimente me popullin, duke e lënë atë pa vaksina, ta lente që të vdesë për shkak të inateve të tij ndaj Edi Ramës, e të mos pranojë vaksina nga Shqipëria dhe nuk i bleu ato nga prodhuesit ndërkombëtar kur e pati rastin, por vetëm pritën për lëmoshë nëse ndokush tjetër do t’i jepnin donacion falas. Mirëpo lëmosha erdhi me shumë vonesë, pasi u vonuan tej mase dhe erdhën pasi u tepruan shteteve të tjera. Mirëpo gjendja në Shqipëri është larg më e mirë në krahasim me Kosovën, me shumë më pak të vdekur në shkallë vendi, për numër të banorëve, pasi ata nuk hezituan që të marrin vaksina kineze, gjermane, amerikane, etj. për të shpëtuar jetë njerëzish, kurse vonesa në vaksinim, Kosovës sot po i kushton me humbjen e qindra jetëve dhe përhapjen e shpejtë të pandemisë, e cila e ka bllokuar në shkallë vendi, duke shkaktuar dëme të pa riparueshme në humbjen e jetëve dhe dëmeve materiale, të cilat janë shumëfish më të mëdha se sa do të kishin blerë vaksina me kohë. Këto gafe po i kushtojnë shumë shtrenjtë kombit tonë dhe nuk po shihet ndonjë dritë në fund të tunelit, që do të kemi përmirësim të kësaj gjendjeje.

-Të falënderoj jo vetëm për përshkrimin real që i bëtë situatës aktuale, e për të cilën besoj se kreatorët e saj janë inspiruar jo pak nga pararendësit e tyre, e të cilët në emër të asaj ose kësaj kauze u bënë pronar jo vetëm të tokës dhe ujit, por edhe të ajrit të këtij vendi, prandaj zgjidhja e kësaj situate tejet të rëndë në aspektin gjithëpërfshirës shoqëror qëndron në një pikë e cila falë Zotit është në dorën e mendjendriturve, e të cilët paralelisht në menaxhimin e rajoneve do të menaxhojnë edhe Kosovën, vendet fqinje për rreth saj dhe në tërësi Ballkanin Perëndimor, po ashtu edhe Evropën Juglindore. Viti 2021 duhet që t’i vendosë themelet e mendësisë së re politike në Ballkan jo vetëm duke i përafruar dhe stabilizuar, por edhe duke e sjellë frymën e pajtimit me qëndrimet e dy popujve të cilët janë faktor vendosës për fatin e Ballkanit, e që ata janë shqiptarët dhe serbët. Krijimi i Unionit ekonomik të shteteve anëtare të Open Balkan do të garantojë funksionimin e lirshëm dhe të pa penguar të parimit themelor, e që është qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve. Në këtë momentum historik do të shfaqen brenda natës së paku tri grupe njerëzish, si në Kosovë, e po ashtu edhe në Serbi.

Grupi i parë përbëhet prej përfituesve të pa ndershëm, të cilët në mënyrë ilegale duke keqpërdorur, ose duke u thirrur në kauza të patriotizmave andej dhe këndej Serbisë, kanë përfituar pasuri marramendëse duke shfrytëzuar situatën e një vakuumi ligjor ku nuk respektohen ligjet, ngërçin dhe bllokadën e zhvillimeve dhe bashkëpunimeve ekonomike të vendeve të Ballkanit. Ky grup me çdo kusht do të bëjë përpjekje që të gjej forma dhe mekanizma të agjitimit të situatës, kinse ideatorët dhe themeluesit e Open Balkan shkelin mbi interesat madhore të vendeve të tyre. Kjo nuk qëndron, pasi është një proklamacion dashakeqës ndaj shumicës së njerëzve andej dhe këndej kufirit Kosovë-Serbi.

 Grupi i dytë do të jenë njerëzit të cilët i takojnë shtresës së ndershme, por të pa fuqishme dhe që nuk ka sens për të kuptuar lëvizjen e re të Open Balkan dhe të tillët nuk do të jenë as pro, e as kundër.

Grupi i tretë përbëhet prej njerëzve mendjendritur, largpamës dhe të cilët e dinë me saktësi se çka fitohet dhe çka humbet nga kjo kreaturë e njerëzve vizionarë të orientuar për paqe, stabilitet, jetë të lumtur, bashkëpunim ekonomik, shkencor, kulturor dhe industrial në përgjithësi. Zaten kjo grup e përkrahur maksimalisht nga elitat vendimmarrëse botërore do të vendosë njëherë e përgjithmonë rendin e ri të mirëkuptimit multispektral njerëzor ndërmjet popujve të konfrontuar e të acaruar deri më dje. Realiteti i ri në Ballkan përmes kësaj nisme do të shërbej si model edhe për vende të ndryshme botërore. Andaj jo rastësisht fuqitë vendosëse kanë menduar që një iniciativë të tillë ta ndërmerrnin në Balkan që nga 1991 e deri më 1999 që të evitoheshin luftërat ku më vonë në mënyrë sistematike u zhvillua mjerimi, vuajtja, skëterra, uria, humbjet më masovike në njerëz dhe kapitale për shkak të luftërave dhe tensioneve të vendeve të  përfshira në këto vende.

-Mirë miku im, me sa e kuptova duket se rajoni do të ketë një fillim të mbarë në të ardhmen, por gjendja e tanishme nuk duket edhe aq premtuese për shkak të divergjencave që i kanë Kryeministri i Shqipërisë me Kryeministrin e Kosovës. Pastaj Serbia nuk e ka hequr Kosovën nga kushtetuta e saj dhe nuk ka kërkuar falje për krimet e bëra, si dhe nuk po e pranon ato. Si mendoni ju se do të zgjidhet ky konflikt në mes të Kosovës dhe Shqipërisë dhe i Kosovës me Serbinë?

-Situata aktuale është në një pozicion që në shkencë do të quhej pozicioni i ngrirë ku temperatura është -273 kelvina, ose siç njihet ndryshe si zero absolute dhe duke e parë një situatë të tillë faktike qendrat vendosëse Evropiane dhe ato botërore e shohin zgjidhjen e këtij problemi të ngrirë tash e sa vite duke integruar në aspektin ekonomik vendet e Ballkanit. Sipas deklaratës së një zyrtari të lartë të DASH në këtë fazë, nuk është me patjetër që Serbia ta njohë Kosovën, por është me rëndësi që ajo t’i njohë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me të. Çka nënkupton se qarkullimi i lirë i njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit në mënyrë të pa vetëdijshme, ose dialektike do ta sjellë në një stad politik Serbinë që duke i njohur marrëveshjet me Kosovën, t’i jep fund njëherë e përgjithmonë armiqësive të pa kuptimta, sepse në Unionin Open Ballkan, Kosova do të futet si shtet i pa varur me të drejta të barabarta me të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimorë kështu që do të fillojë epoka e re e bashkëpunimit ndërmjet popujve të Ballkanit, shih për këtë do të përfitojnë të gjithë në sferën ekonomike e kulturore. Nuk do të ketë më kuptim që të dominojë ndjenja e urrejtjes dhe aspiratave për të lakmuar vendet fqinje, sepse ky Union do të funksionojë në frymën e bashkëpunimit të shteteve anëtare të tij dhe nuk do të ketë më arsye që shtetet anëtare t’i bëjnë obstruksione njëra tjetrës. Kjo nismë i zgjidh shumë probleme që aktualisht janë prezente në konfliktin e ngrirë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

1E para kufijtë aktual do të mbeten këta të tanishmit dhe nuk do të ketë ndarje të Kosovës, e as të ndonjë republike tjetër të ish Jugosllavisë.

2 E dyta Asociacioni i shumëpërfolur deri tani nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por do të jetë asociacion i cili do t’i përmbushë interesat e pakicës serbe që jetojnë në Kosovë pa të drejtë ndarje.

3 E treta do të hiqen tensionet e luftës, e cila e mundëson një ambient të përshtatshëm për investime të huaja, duke e krijuar një klientelë multi milionëshe pa dogana e pengesa doganore, e cila do të jetë interesante si dhe do të ketë ndihma materiale dhe asistencë tjetër për shtetet që kanë ngecur në zhvillim.

4Do të hiqen të gjitha pengesat doganore për njerëz dhe për mallra, ku nuk do të ketë më pritje me orë të tëra nëpër dogana, sidomos mërgimtarët e tanë që presin me orë të tëra në kufirin me Serbinë, si dhe turistët shqiptarë që presin në kufirin me Shqipërinë dhe anasjelltas.

Pra me një fjalë do të jetë një Union i shteteve të Ballkanit perëndimor, një para pregaditje për të hyrë në Evropë, ku të gjithë do të fitojnë, e me theks të veçantë do të fitojë populli shqiptar, e sidomos Kosova, pasi ajo duke u kyçur në Open Ballkan do të futet me të drejta të barabarta me të gjitha shtetet anëtare dhe do ti gëzojë të gjitha të drejtat sikur shtetet e tjera, si dhe do të pranohet në NATO dhe në të gjitha organizmat e tjerë ndërkombëtarë. Poashtu do të hiqen vizat dhe pengesat doganore, si dhe do të rritet prodhimi vendor dhe do të shtohen investimet e huaja dhe ndihmat nga Bashkësia Ndërkombëtare.

Lexo edhe

Video