Vitia thotë se Kosova po e kalon variantin Delta, Zemaj e quan deklaratë të turpshme

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vita ka deklaruar se falë masave të qeverisë Kurti, Kosova po arrin të kalojë variantin delta të COVDI-19.

Krahas kësaj, ai në seancën e Kuvendit tha se Kosova i tejkaluar të gjitha vendet e rajonit sa i përket numrit të dozave të administruara dhe përqindjes së popullatës së vaksinuar.


“Procesi i vaksinimit në Kosovë ka tejkaluar të gjithë vendet e rajonit sa i përket numrit të dozave të administruara dhe përqindjes së popullatës së vaksinuar. Prapë po e përsërisë që është dera e hapur në MSH sepse kjo është një luftë e përbashkët, e sidomos në raport me variantin delta…Falë masave të qeverisë Kurti, Kosova po arrin të kalojë variantin delta, më të rrezikshëm deri tani më shpejtë se 2 muaj. Akoma dy muaj nuk janë bërë të variantit delta dhe ne jemi në përfundim”, tha ai.

Ministrit i reagoi deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili këtë deklaratë e quajti të turpshme dhe skandaloze, derisa për 45 ditë kanë humbur jetën 624 qytetarë.

“45 ditë 624 qytetarë, të rinj dhe të reja, nëna shtatzëna, fëmijë të mitur të kanë vdekur para syve dhe del e thua për 45 ditë po e vejmë në kontroll variantin Delta. Kjo është e  turpshme dhe skandaloze”, shtoi ai.

Lexo edhe

Video