Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia ka thënë se kryeqyteti tashmë e ka kryetarin e ri dhe ai është Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Derisa rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e nxjerrin fitues Ramën, Arben Vitia në një konferencë për media ka thënë se rezultati i Vetëvendosjes është si pasojë e inkuadrimit të vonshëm në fushatë.
“Sipas rezultateve që i kemi edhe nga komisionerët tonë, Prishtina tashmë e ka një kryetar të ri dhe është zotëri Përparim Rama. Prishtinës i dëshiroj sukses dhe të gjitha të mirat dhe në anën tjetër unë personalisht edhe Lëvizja Vetëvendosje do të jemi krah në çdo proces i cili është në interesin qytetarëve sepse ne e duam Prishtinën dhe do të bëjmë më të mirën për Prishtinën”, ka thënë Vitia.
Sipas tij, një shifrat janë edhe rezultat i moselaborimit të mjaftueshëm të programit të Lëvizjes Vetëvendosje para qytetarëve të Prishtinës.
“Inkuadrimi jonë i vonshëm në fushatë dhe moselaborimi i mjaftueshëm i programit tonë para qytetarëve ka pasur ndikimin e vet”, ka thënë Vitia.
Arben Vitia i cili deri në shpalljen e kandidaturës për kryetar të Prishtinës e ka drejtuar Ministrinë e shëndetësisë, nuk ka bërë të ditur se ku do të vazhdojë angazhimin e tij politik.
“Është herët të flitet, natyrisht unë çdo herë si qytetar i Prishtinës do të jem në shërbim të qytetarëve të Prishtinës, pavarësisht prej çfarë pozicioni”, ka thënë Vitia.
3 Comments
Komentet janë të mbyllura.