Vitia e Haxhiu: Personat e privuar nga liria do të trajtohen me dinjitet

Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Drejtësisë shprehën sot përkushtimin për të përmirësuar kushtet dhe mundësitë që personat që janë të privuar nga liria të trajtohen me respekt dhe dinjitet. 

Këtë angazhim si ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, si ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i shprehën në tryezën e organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë, me ç’rast u dhanë edhe rekomandimet që kanë dalur nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria”.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia shprehu përkushtimin për kujdes të vazhdueshëm për personat që janë të privuar nga liria.

Ai tha se me qëllim të përmirësimit të trajtimit të këtyre personave kanë ndërmarrë edhe politika konkrete.


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaroi se trajtimi i personave të privuar nga liria në Kosovë është sipas standardeve ndërkombëtare, por ajo theksoi se nuk do të ndalen në adresimin e të gjitha sfidave.

Haxhiu theksoi se janë angazhuar në krijimin e kushteve ligjore që këta persona të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre me qëllim që të trajtohen me dinjitet dhe respekt.

“Kemi punuar dhe po vazhdojmë në krijimin e kushteve ligjore që personat e privuar nga liria të trajtohen me respekt, por edhe me dinjitet si dhe të kenë qasje të plotë në të drejtat e tyre të garantuara me ligj, por edhe me konventat tjera ndërkombëtare. Veç kësaj ne kemi ndërmarrë edhe hapa konkret në krijimin e kushteve më të mira infrastrukturore për këtë qëllim tash rreth dy muaj… ka themeluar institucionin shëndetësor për trajtimin e personave me nevoja të veçanta që mbulon shërbimet shëndetësore  për nevoja të veçanta përbrenda burgut të Dubravës “, u shpreh ajo.

Rekomandimet e dala nga projekti “Përmirësimi i trajtimit të personave të privuar nga liria” thonë se qasjet aktuale të rehabilitimit për kujdesin forenzik të shëndetit mendor lënë shumë hapësirë për përmirësim. Ky raport thotë se  trajtimet psiko-sociale duhet të zhvillohen më tej si elemente kyçe për shërimin, reduktimin e rrezikut dhe rehabilitimin e pacientëve psikiatrike forenzike./B.Ibishi/

Lexo edhe

Video