Vitia dhe Zemaj përplasen për vaksinat dhe procesin e specializimeve

Për më shumë se 3 orë ka zgjatur raportimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia para Komisionit për Shëndetësi. Derisa Vitia siguroi të gjithë që me kontratën e arritur me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milion vaksinave antiCOVID dhe donacionet që do të vijnë deri në fund të vitit do të ndodhë imunizimi i 60 për qind të popullatës, ashtu siç është planifikuar. Ai tha se në momentin kur ka marr pozitën e Ministrit nuk ka pranuar asnjë dosje nga ish-ministri i Shëndetësisë për negociatat për blerje të vaksinave. Ishte ky deklarim i cili nxiti debat në mes të ministrit aktual të Shëndetësisë dhe ish-ministrit, Armend Zemaj. Debat i ashpër në mes tyre u zhvilluar edhe rreth punësimit të specializantëve gjatë qeverisjes së kaluar.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në fjalën e tij hyrëse para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi, tha se në bazë të raportimit të IKSHPK-së, në javët e fundit situata epidemiologjike në vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm dhe aktualisht është e qëndrueshme.

Ministri Vitia tha se prioriteti kryesor në këtë fazë është sigurimi i vaksinave për numrin sa më të madh të qytetarëve, derisa theksoi me marrëveshjen me Pfizer për blerje të 1.2 milion vaksinave dhe me donacionet nga COVAX dhe BE-ja deri në fund të vitit do të sigurohen rreth 2 milionë vaksina për të imunizuar 60 për qind të qytetarëve.

Vitia u ankua se ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj nuk ia ka ofruar asnjë dosje për komunikimet me kompanitë prodhuesve të vaksinave antiCOVID.

“Vaksinimi kundër COVID-19 prej fillimit ishte dhe është prioriteti kryesor në këtë kohë dhe kryefjala e angazhimeve tona për të siguruar numër sa më të madh të vaksinave për të dinamizuar procesin e vaksinimit me synim të përmbylljes së fjalës së parë për kalimin në fazën e dytë që nënkupton zgjerimin e kategorive që do të përfshihen në këtë vaksinim. Në momentin e ardhjes sime në këtë detyrë plani nacional për vaksinim ka ekzistuar dhe brenda javës me marrje të detyrës kemi pranuar kontingjentin e parë të vaksinave përmes COVAX si rezultat kemi zbatuar planin nacional ekzistues duke marr parasysh kohën e shkurt për ta rishikuar planin. Ne nuk kemi gjetur dhe nuk na është ofruar ndonjë komunikim me prodhuesit në momentin e ardhjes në detyrë  dhe ne kemi vendosur kontakt me shumicën e prodhuesve dhe me njërin nga tani kemi nënshkruar një kontratë. Fatkeqësisht ne nuk kemi gjetur dhe nuk na është ofruar as marrëveshja e konficendialitetit që nënshkruhet në momentin kur fillojnë negociatat me prodhues. Këto dokumente na është dashur t’i sigurojmë nga vetë prodhuesit. Atë që kemi gjetur është një vendim për ekipin negociues të datës 7 dhjetor 2020”, tha Vitia.

Këtij deklarimi të Vitisë i është kundërpërgjigjur paraardhësi i tij, Armend Zemaj i cili tha se nuk është e vërtetë dhe se kjo mund të dëshmohet me dosjen e dokumenteve që ia ka dorëzuar në ditën e pranim-dorëzimit të detyrës.

Zemaj tutje i tha ministrit aktual të Shëndetësisë se paaftësinë menaxheriale po e paraqesin me kinse parregullsi. 

“Dy gjërat që ju i thatë dhe që nuk janë të vërteta është që të gjitha dosjet që lidhen me vaksinat përfshirë procesin e të gjitha negociatave dhe kërkesave të adresuara në të gjitha institucionet ndërkombëtare partnerët komunikime ua kam dorëzuar në pranim-dorëzim të detyrës si protokoll demokratik dhe si proces demokratik që fatkeqësisht nuk e kam gjetur në institucion  kur e kemi marr mandatin qeverisës. Se çka keni bërë ju dhe si i keni trajtuar ato dosje dhe ku janë sigurisht këtë përgjigje duhet ta kërkoni tek stafi juaj. Unë kam qenë në Prishtinë zotëri ministër për asnjë ditë nuk jam larguar nga Prishtina edhe stafi im ka qenë në Prishtinë krejt çka ishte dashur ishte 5 ose 2 minuta për të ardhur me një USB ose me një komunikim tjetër deri në MSH për t’ua ofruar atë që ua kam ofruar në prezencë të stafit tim”, tha Zemaj.

Debate dhe kundërshtime pati edhe rreth procesit të specializantëve të cilët u punësuan me vetëfinancim gjatë mandatit të qeverisë Hoti.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se ky proces është zhvilluar me disa parregullësi dhe pa planifikim që sipas tij janë gjetur pas ardhjes së tij në zyrën e ministrit të Shëndetësisë.

Vitia ka thënë se në proces të specializimeve janë përfshirë specializantë edhe pas mbylljes së konkursit duke ngritur pikëpyetje se si janë pranuar në konkurs.

Ai ka deklaruar se një pjesë e specializantëve janë përfshirë në paga me vendim të Qeverisë, por buxheti për ta nuk është alokuar.

Sipas tij udhëzimi administrativ e parasheh që një mentor klinik të ketë më së shumti tre specializantë, aktualisht tani ka 12 specializantë.

“Planifikimi i prezantuar është i pabazuar në evidencë një planifikim në shpërputhje me të gjitha rregullat dhe procedurat e mos të flasim për kriteret e kualitetit dhe sigurisë dhe formimin e shërbimeve shëndetësore. Klinikat tani fatkeqësisht janë të mbingarkuara dhe pa hapësira për sistemim të tyre numri i specializantëve për një mentor klinik e tejkalon normën e paraparë sipas udhëzimit administrativ  për shkollim specialistik, ku thotë se një mentor klinik gjatë shkollimit specialistik në mbikëqyrje më së shumti mund të ketë 3 specializantë. Ne sot kemi mbi 12 specializantë për 1 mentor klinik dhe në kohë pandemie institucionet kanë ofruar kryesisht shërbimet esenciale”, tha Vitia.  

Pas kësaj reagoi sërish ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj i cili aktualisht mban pozitën e anëtarit të Komisionit për Shëndetësi. Në replikën e tij për këtë çështje tha se procesi i specializimeve është bazuar në kërkesa të burimeve njerëzore dhe klinikave.

“Sa i përket procesit të specializimit unë e them me përgjegjësi të plotë nuk them me dozë krenarie është një prej proceseve që duhet të krenohet çdo qytetar i cili e ka ndjeshmërinë ndaj mjekëve të rinj dhe përkrahjes së tyre. Numri i madh ka qenë si nevojë akoma vazhdon të jetë nevojë, shumë klinika kanë qenë para mbylljes sidomos në spitale rajonale, shumë profile deficitare ka qenë pothuajse zero”, tha Zemaj.


Procesi i specializantëve shkaktoi përplasje edhe në mes të deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli dhe deputetit të LDK-së, Armend Zemaj.

Derisa Avdyli tha se procesi i specializimeve ka shkaktua dëme në sistemin e shëndetësisë të cilat do të vërehen pas 6 viteve, Zemaj iu kundërpërgjigj duke i thënë se e ka penguar atë që të bëjë monopol si neurokirurg dhe që për një operacion i merr 10 mijë euro.

“Ti do me qenë i vetmi mjek me i marr nga 10 mijë euro e mos me pas konkurrencë, do më krijua monopol…Në këtë sektor është logjika jote dhe të tjerëve dhe kjo logjikë është e ulët  me i largua mjekët prej Kosovës dhe kam me qenë këtu pasha”, replikoi Zemaj.

Një shqetësim të cilin e adresoi ministri i Shëndetësisë gjatë raportimit para Komisionit ishte edhe mungesa e buxhetit për blerjen e barnave nga lista esenciale.

“Buxheti i dedikuar për sigurimin e barnave dhe materiali shpenzues për nevojat e institucioneve të nivelit parësor shëndetësor është zvogëluar dyfish. Procesi për sigurimin e produkteve indikative për menaxhimin efikas të pandemisë në nivelin shëndetësor ka qenë nivelin jo të kënaqshëm dhe kjo në shumë raste ka rezultuar në blerjen e barnave apo materialeve medicianale me çmime të larta”, deklaroi ministri Vitia.

Vitia tha se tashmë kanë miratuar planin e veprimit për vaksinimin masiv, zbatimi i të cilit do të nisë nga 15 qershori.

Ndërsa tha se kanë paraparë edhe rritjen kapaciteteve për shpërndarjen e vaksinës nga 89 sa kanë qenë deri më tani do të shtohen edhe 190 mjekë, që në total i bie 270.

“Tani është hartuar edhe miratuar plani i veprimit për vaksinimin masiv të popullatës dhe iu është prezantuar njësive të vaksinimit në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ky plan është nënshkruar dhe do të fillojë të zbatohet nga 15 qershori. Plani për vaksinim në masë nënkupton administrimin e një numri shumë më të madh brenda një muaji në Kosovë që varësisht nga vaksinat që do t’i kemi në dispozicion mund të arrijë deri në 500 mijë sipas nevojës. Që të realizohet kjo MSh ka detajuar rrugët dhe mjetet se si do të arrijë këtë shifër të vaksinimit duke planifikuar fuqizimin e kapaciteteve njerëzore me mjekë, infermierë, administrues të teknologjisë dhe staf mbështetës, sigurimin e hapësirave të reja në çdo komunë mjete shtesë mbrojtëse…Do të rriten kapacitete njerëzore nga 89 ekipe ekzistuese të vaksinimit ku janë 89 mjekë dhe 179 infermierë në 190 shtesë me 190 mjekë specializantë dhe 422 infermierë shtesë“, u shpreh ai.

Kritika karshi procesit të vaksinimit adresoi edhe anëtari i Komisionit për Shëndetit nga PDK, Bekim Haxhiu. Ai si garancë kërkonte dorëheqjen e Vitisë nga pozita e ministritë të Shëndetësisë nëse nuk ndodh vaksinimi i 60 për qind të popullatës.

Haxhiu madje kërkoi nga ministrit Vitia që t’iu  kërkojë falje qytetarëve për vonesat në sigurimin e vaksinave dhe tollovinë e shkaktuar ditë më parë para sallës “1 Tetori”.

“Edhe ju edhe kryeministri keni premtuar vaksinimit të qytetarëve 60 për qind të tyre me dy doza deri në fund të vitit. Nëse nuk e arrini këtë dhe për t’iu besuar për njëmend se keni me arritur 60 për qind të qytetarëve deri në fund të vitit a na garantoni me dorëheqjen tuaj dhe të qeverisëse keni me e bë 60 për qind se keni me bë vaksinimin të qytetarëve deri më 31.12.2021 dhe nëse nuk e bëni na jepni dorëheqje”, tha ai.

Në përgjigjen e tij ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka quajtur jo të ndershme që të kërkohet dorëheqje nga ata të cilët premtuan vende punë për 200 mijë persona e që nuk realizuan asgjë në këtë drejtim.

“Ju thatë se po bëjmë politik nuk po mundohem të bëjë politik por kërkesa e dorëheqjes nga dikush që premtuar 200 mijë vende të punës dhe nuk ka realizuar asnjë për katër vite dhe të kërkohet dorëheqje në këtë drejtim është sinqerisht jo e ndershme. Unë e kam për obligim të them atë dhe ta përmbushi premtimin që e kemi dhënë“, u shpreh ministri i Shëndetësisë.

Deputetët e partive opozitare gjatë tërë mbledhje kanë insistuar që të jepen detaje për marrëveshjen e arritur me kompaninë Pfizer, por që ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se për shkak të konficendialiteti nuk mund të japë asnjë informacion.

Deputetët anëtarë të Komisionit për Shëndetësi kanë adresuar edhe shumë probleme të tjera që ndërlidhen me sistemin e shëndetësisë, me theks të veçantë u kërkua të dihet për përkrahjen e mjekëve në aspektin e pagave dhe për këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se kjo çështje do të rregullohet shpejt me Ligjin e Pagave.

Ndërsa, pyetje deputetët adresuan edhe për ndërtimin e Spitalit të Ferizajt dhe atë të Prishtinës.

Lexo edhe

Video

error: