Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti sot në takim ambasadorin e britanik në Kosovë, Nicholas Abbott me të cilin diskutuan për situatën aktuale në Kosovë për sa i përket koronavirusit Covid-19.
Ambasadori Abbott përgëzoi ministrin Vitia për punën e bërë nga ministria dhe institucionet e tjera në përgjigje ndaj situatës epidemiologjike me koronavirusin Covid-19 dhe shprehu mirënjohjen e tij për përfshirje në këto masa edhe të komuniteteve pakicë në Kosovë, veçanërisht të komunitetit serb.
Ambasadori theksoi nevojën e bashkëpunimit duke injoruar dallimet politike për sa i përket qasjes në menaxhimin e situatës me koronavirusin Covid-19 në Kosovë.
Vitia e ka informuar ambasadorin Abbott lidhur me masat e ndërmarra nga Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë me qëllim të parandalimit të përhapjes së Covid-19 në Kosovë.
Gjithashtu, shprehu falënderimin e tij për mbështetjen që në vazhdimësi Kosovës i ka dhënë Mbretëria e Bashkuar si në rrafshin politik ashtu edhe në atë shëndetësor si dhe gatishmërinë për të shtuar angazhimet në funksion të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës së Kosovës pa dallim.