Viti filloi e përfundoi me kryeministër në detyrë, ekzekutivi në 2020

Në kolltukun e shefit të qeverisë u ulën tre kryeministra këtë vit. Në 12 muajt e 2020-ës levat e pushtetit ekzekutiv i patën Haradinaj, Kurti e Hoti. Dy të parët qeverisën edhe në detyrë, ndërsa i treti në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për të qeverisur në detyrë, pas njoftimit të së njëjtës se qeveria e tij është formuar në mënyrë të paligjshme. Kjo bëri që për herë të parë brenda një viti, dy qeveri të zgjedhën, e të njëjtat të rrëzohen. 

Megjithatë, kryeministri aktual, Avdullah Hoti qeverisi më së shumti me vendin, për rreth shtatë muaj. Ani pse kohë e shkurtër, ai bashkë me paraardhësit e tij nuk ia lanë keq vendimmarrjes. Ndërkohë, përfaqësuesit e LVV-së, LDK-së dhe AAK-së, partitë që patën kryeministrat në këtë vit thonë se qeverisja e tyre ishte më efikase se tjetra.

Mosmarrëveshjet për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të 6 tetorit të 2019, bënë që edhe më fillim të vitit 2020, si kryeministër në detyrë të vazhdoi Ramush Haradinaj.

 Ai qëndroi në zyrë të kryeministrit deri në fillim të muajit shkurt. Në gjithsej 33 ditë, Haradinaj mbajti dy mbledhje të qeverisë, ku mori një varg vendimesh, mes tjerash ndau disa mijëra euro për Luginën e Preshevës.

E në fillim të shkurtit, Haradinaj shkoi në një vizitë në ShBA si kryeministër në detyrë, por ditën e tretë të qëndrimit atje, mbeti pa këtë post.

Pasi më 3 shkurt, Kuvendi i Kosovës votoi kabinetin qeveritar me kryeministër, Albin Kurti. Kurti qëndroi në pushtet për rreth katër muaj, e vetëm 52 ditë prej tyre i kishte fuqiplota si kryeministër, ndërsa 72 ditë si kreu i qeverisë në detyrë, pas rrëzimit në Kuvend më 25 mars.

Me të marrë detyrën, Kurti në mbledhjen e parë të qeverisë, iu kërkoi ministrave punë dhe angazhim, pasi sipas tij sytë e të gjithë popullit janë te kabineti qeverisës i tij.

“Sytë e të gjithë popullit tashmë janë tek ky kabinet qeverisës, rrjedhimisht te secili prej jush. Do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendesh programin tonë që del nga marrëveshja jonë e përbashkët. Sepse me të do të zgjohemi në mëngjes dhe ne të do të flemë në mbrëmje. Le të bëhemi të thjesht dhe të drejtë ashtu siç̧ i kemi qytetarët tanë. […] Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë si ekip. Sukseset dhe dështimet janë kolektive, e jo personale e aq më pak partiake”, tha Kurti.

Ndërsa disa ditë më pas nga mbledhja e parë, Kurti shkoi një vizitë zyrtare në Gjermani për të marrë pjesë në Samitin e Munihut. Nga aty, Kurti kërkoi që dialogu Kosovë-Serbi të arrihet me njohje reciproke dhe pa harta.

Ndërkohë në ditët e para të qeverisjes vizitoi edhe shtetin shqiptar, ku u prit me nderime të larta atje.

Në gjithsej 39 mbledhje qeveritare, Kurti mori një sërë vendimesh, fillimisht duke shkarkuar borde publike, e emëruar të tjera, saqë oponentët politikë e quanin qeverisje e “shkarkim-ngarkimit”.

Por krahas tyre, Kurti më 27 shkurt përmes një konference për medie paralajmëroi largimin gradual të taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe hyrjen e masave të reciprocitetit në fuqi, të cilat u zyrtarizuan më 1 prill të vitit 2020.

Por këto u kundërshtuan nga ShBA-të, e cila përmes emisarit të tyre për dialogun, Richard Grenell kërcënuan disa herë Kurtin për tërheqje të trupave amerikane nga territori i Kosovës dhe ndaljet të fondeve MÇ. Por para se të hynte në fuqi reciprociteti me Serbinë, Kurti u rrëzua në Kuvend.

E gjitha kjo pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu. “Mollë” sherri u bë një deklaratë e tij pro, ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme si rezultat e përhapjes së pandemisë Covid 19.

Në ditën e shkarkimit, LDK-ja si partner i koalicionit, thirri mbledhjen e kryesisë së partisë dhe më 18 mars bëri të ditur se do të marrë iniciativën për të shkarkuar në Kuvend, qeverinë e Albin Kurtit.

Këtë e arritën në javën e fundit të muajit mars. Më datën 25 të këtij muaji, qeveria Kurti u rrëzua me 82 vota të deputetëve.

Megjithëkëtë, Kurti vazhdoi qeverisjen në detyrë duke u ballafaquar me pandeminë Covid-19. Por krahas kësaj kishte edhe përplasje të vazhdueshme me ish-presidentin, Hashim Thaçi.


Ndërkaq, disa vendime të Kurtit për kufizim të lëvizjes, si masë për ta parandaluar koronavirusin u konsideruan anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

E ishte një vendim i pikërisht kësaj të fundit që ia mundësoi Avdullah Hotit të bëhet kryeministër me datën 4 qershor. Kjo pasi, kushtetuesja vlerësoi se në rast që fituesi i zgjedhjeve nuk arrin të sigurojë një shumicë në Kuvend, presidenti mund t’ia jap mandatit kujtdo që ia siguron se i ka 61 vota në legjislativ.

Me të marrë besimin e 61 deputetëve, Hoti tha se prioritet i tij do të jetë rregullimi i marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtar, menaxhimi me pandeminë dhe rimëkëmbja ekonomike.

“Prioritetet tona janë, përveç̧ luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtar, marrje përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim, në shëndetësi, në arsim në veçanti duke pasur parasysh kushtet që janë krijuar tash për shkak të pandemisë, dhe në veçanti të shëndetësia për të krijuar kapacitete afatgjata të sistemit tonë shëndetësor, për të përballur situatën me pandeminë, por edhe fusha të tjera, një program shumë i pasur i zhvillimit ekonomik në sektor të ndryshëm”, kishte thënë Hoti.

Ndërkaq, në mbledhjen e tretë te qeverisë, Hoti shfuqizoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, që do t’i hapnin fillimit të dialogut me shtetin fqinj.

E pikërisht një gjë e tillë u artit me 10 korrik përmes Samitit virtual të Parisit. Por disa ditë para se të merrte pjesë në këtë samit, Hoti shkoi në një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Në gjithsej 52 mbledhje qeveritare, Hoti mori një sërë vendimesh, ku mes tjerash miratuan edhe Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike. Ndërkohë nuk ia la keq as shkarkimeve dhe emërimeve të bordeve publike.

Hoti bashkë me disa prej vartësve të tij me 3 shtator morën udhë për në Uashington të ShBA-ve. Atje, ai krah për krah me presidentin Trump dhe atë serb, Vuçiq do të nënshkruanin marrëveshjen e zotimeve për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Hoti këtë e vlerësoi si marrëveshje historike për vendin.

Por takimet në Bruksel për dialogun, Hoti i ndërpreu në shtator pas kërkesës së palës serbe për themelim të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë.

Gjatë mandatit të Hotit u mblodhën dy qeveritë shqiptare në Tiranë, ku u nënshkruan disa marrëveshje. Ndërkohë Hoti qëndroi në një vizitë edhe në Maqedoninë Veriore.

Avazin e vendimmarrjes, Hotit ia ndali ajo që ia dha mundësinë për t’u bërë kryeministër. Gjykata Kushtetuese më 21 dhjetor vlerësoi se qeveria Hoti është zgjedhur në mënyrë jo legjitime, pasi konsideroi se vota e deputetit tashmë të arrestuar, Etem Arifi, si votë përcaktuese është e pavlefshme dhe rrjedhimisht kërkoi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

E qeverisjen e kryeministrit Hoti, Shkëmb Manaj nga LDK po e vlerëson si më të mirën e këtij viti.

“Arritjet më të mëdha kanë qenë për qeverinë Hoti që ndërlidhen me aspektin ndërkombëtar, janë përmirësuar relacionet me ShBA-të. Ju e dini çfarë situate e patëm me qeverisjen Kurti sepse u rrezikuan edhe raportet me aleatin tonë kryesor. Mendoj se këtë drejtim është bërë një punë e mirë, po ashtu edhe menaxhimi i pandemisë, e tash së fundi kalimi i Ligjit për rimëkëmbje ekonomike mendoj që kanë qenë të arritura të qeverisë Hoti në këtë periudhë të shkurtër dhe këto rrethana të jashtëzakonshme për vendin”, u shpreh Manaj.

Por, një gjë tillë nuk e thotë, anëtari i kryesisë së LVV-së, Artan Abrashi, i cili thotë se ish qeveria Kurti ishte legjitime dhe më efektive.

“Qeveria Kurti kur fillojë punën, fillojë me një vullnet të jashtëzakonshëm, ishte një qeveri që kishte legjitimet qytetarë dhe popullor. Kishte një agjendë para saj se çfarë do të bënte, por ndodhën ato që ndodhën. Por ajo që na obligon neve është që të marrim mësim, se Lëvizja Vetëvendosje me gjithë potencialin dhe kapacitetet që i ka do të synojë që në zgjedhjet ardhshme të marrë sa më shumë besimin e qytetarë për ta kthyer në votë me qellim që të ardhmen mos të kemi kriza të tilla”, thotë ai.

Ndërkaq, të kundërtën e parafolësve e thotë, Pal Lekaj nga AAK, i cili vlerëson se qeveria Haradinaj ka qenë më vendimmarrëse se dy qeveritë, Kurti e Hoti.

“Me Qeverinë Kurti nuk kam pa diçka të mirë, kam parë vetëm shkarkime dhe ngarkime të bordeve të njerëzve pa ndonjë analizë. Po shikohet e gjykata tani po merr vendime kundër qeverisë Kurti, e shumë e shumë gjëra të tjera që nuk kanë shkuar në favor të qeverisë, apo vendit….unë mendoj se qeveria Haradinaj ka qenë shumë më efektive se nga këto dy qeveri”, thotë ai.

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku e shpalli qeverinë Hoti jolegjitime, Kosova pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme në fillim të muajit shkurt.

Lexo edhe

Video

error: