Vishaj: Omicron po prek më shumë meshkujt nën moshën 40 vjeç

Në Kosovë vazhdon të jetë situatë stabile me pandeminë COVID-19 dhe kjo ka reflektuar edhe në një gjendje më të qetë me pacientë edhe në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ku aktualisht trajtim janë duke marrë 8 pacientë, prej tyre 3 asistohen për frymëmarrje nga oksigjeni.

Por përkundër kësaj gjendje pandemike, ushtruesi i detyrës së Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se edhe Kosova rrezikon që të preket nga varianti ri i koronavirusit, Omicron prandaj ai kërkoi që masat anti-COVID që janë në fuqi të zbatohen me rigorozitet.

Vishaj thotë se pacientët e hospitalizuar aktualisht kanë gjendje të përgjithshme shëndetësore të mirë.

“Në Klinikën Infektive i kemi të spitalizuar gjithsej 8 pacientë të cilët janë duke u trajtuar në dy repartet e Klinikës Infektive[…]Në përgjithësi gjendja e përgjithshme klinike është stabile dhe jemi duke përcjell me parametra klinik dhe laboratorik[…]Tre nga këta pacientë janë duke marr oksigjenoterapi por aktualisht nuk janë në gjendje të rëndë klinike, po trajtohen në Klinikë”, u shpreh Vishaj.

Vishaj teksa ka folur për varinatin Omicron që ka frikësuar vendet perëndimore thotë se edhe qytetarët e Kosovës kanë gjasa të preken nga ky mutacion i ri i COVID-19.

Sipas tijmanifestimet klinike të forma Omicron nuk duket të jenë më të rënda se sa forma Delta dhe se vaksinimi kundër COVID-19 duhet të mbetet fokusi kryesor për mbrojtje.

“Tashmë është aktual një variant i ri i virusit COVID-19, varianti Omicron të cili jemi edhe ne si Kosovë por edhe ne Klinikën Infektive jemi me një vëmendje shumë të veçantë duke e analizuar varësisht nga të dhënat që i marrim nga vendet tjera[…]Të dhënat preliminare thonë se manifestimet klinike të forma Omicron nuk duket të jenë më të rënda se sa forma Delta që tashmë e kemi prezent në Kosovë[…]Edhe Kosova është padyshim që nuk është imune ndaj varianteve që mund të paraqiten por ne duhet ta bëjmë punën tonë dhe puna jonë është që të vaksinohen qytetarët në mënyrë masive kurse ardhja e ndonjë varianti të ri është e mundshme dhe duhet ta parandalojmë duke i respektuar  masat kundër epidemike”, theksoi ai.

Infektologu i Klinikës Infektive, Arben Vishaj thotë se të dhënat e para tregojnë se Omicron po prek më shumë meshkujt nën moshën 40 vjeç.


“Të dhënat janë shumë fillestare mendohet që moshat që kanë qenë nën 40 vjeçare dhe kanë  dominuar meshkujt  kanë pasur manifestime në drejtim të një lodhje të pashpjegueshme që ka qenë lodhje më e madhe por manifestime klinike në drejtim të infiltrimeve masive mushkërore nuk është përshkruar përqindja çfarë është ende nuk janë të dhënat të konfirmuara sa duhet”, deklaroi Vishaj.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive, Arben Vishaj ka bërë thirrje për respektim rigoroz të masave kundër COVID-19.

“Unë mendoj që duhet t’i zbatojmë me rigorozitet rekomandimet që vijnë nga institucionet tona sepse ato vijnë nga një panel ekspertësh dhe  si i tillë ato masa të cilat rekomandohen ne duhet t’i zbatojmë jo vetëm ne po çdo qytetar i vendit”, u shpreh infektologu i Klinikës Infektive.

Ndërsa, gjatë ditës së djeshme Qeveria e Kosovës ka rishikuar masat anti-COVID, ku ende maska mbetet obligative, me përjashtim të rasteve kur je duke drejtuar veturën i vetëm apo ke anëtarë të familjes në veturë, gjatë vrapimit e ushtrime fizike apo gjatë ngrënies apo pijes. Në transportin publik, stafi dhe pasagjerët duhet të posedojnë një nga dëshmitë për COVID-19 në mënyrë që të lejohen të udhëtojnë.

Ndalohet hyrja pa maskë në ambiente të mbyllura. Kufizimi i qarkullimit vazhdon të jetë nga ora 00:00 deri në ora 5 të mëngjesit. Me përjashtim të rasteve të caktuara.

Ndërkohë janë ndaluar veprimtaria e klubeve të natës dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare e shoqërore.

Gastronomia lejohet deri 50 për qind të kapacitetit në hapësira të mbyllura e deri 70 për qind në të hapura. Shërbimet e gastronomisë lejohen nga ora 5 deri në orën 23:00, ndërsa muzika lejohet deri në orën 21:30.

Në 24 orët e fundit në Kosovë nuk është regjistruar asnjë viktimë nga COVID-19, ndërsa janë raportuar edhe 8 raste të reja të infektuara me këtë virus.

Lexo edhe

Video

error: