Vetëvendosja kërkon të diskutohet për zgjedhjet në Podujevë, Daka thotë se ato caktohen nga Presidenti

Vetëvendosja kërkon të diskutohet për zgjedhjet në Podujevë, Daka thotë se ato caktohen nga Presidenti

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rend të ditës të futet edhe diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Podujevë, të cilat janë shtyrë për shkak të pandemisë Covid-19.

Me këtë nuk është pajtuar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, e cila tha se ky institucion nuk cakton e as shtynë zgjedhje, por Presidenca.

“Nuk kemi çfarë me diskutua në lidhje me ato zgjedhje. Sepse ne nuk jemi organ kompetent i cili as i shpall e as që i cakton datat. As nuk jemi ne që mundemi me kërkua që të shpallen zgjedhjet. Me siguri që Zyra e Presidentit i dinë kompetencat e veta dhe e din kur i shpallin, por po më duket e panevojshme ky diskutim i cili është politizim i asaj çështje. Sepse ne jemi institucion që organizon zgjedhjet, i dimë kompetencat. Kur të kërkohet prej neve, ne me siguri që do t’i mbajmë ato zgjedhje”, ka deklaruar ajo.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi kërkoi që të vendoset në rend dite diskutimi për zgjedhjet në Podujevë, për çka tha se ka ardhur koha të flitet për zgjedhjet në këtë komunë.

“Ne jemi politik, prandaj çdo gjë që diskutojmë këtu është politike, nuk ka këtu politizim. Prandaj, nuk duhet me përmend çdo herë politizimin, politizimi ka të bëjë me vullnetin e përbashkët… Ne kemi marrë një vendim të arsyeshëm atëherë për shtyrjen e zgjedhjeve sepse ka qenë çështje pandemie. Sa i përket shtyrjes, rekomandimit apo gjithçka tjetër natyrisht që atëherë kemi ndërmarrë një vendim shumë të drejtë, mirëpo sipas ligjit edhe sipas të gjitha normave ne atëherë kemi bërë një lëshim, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë që kemi shtyrë zgjedhjet pa ndonjë datë të caktuar. Ne mundemi me vazhdua përsëri për tre muaj, pastaj edhe për tre muaj varet krejt prej situatës. Por, kjo nuk ka qenë e lejuar për afat të pacaktuar”, ka theksuar Kurteshi.

Me këtë nuk është pajtuar as anëtari i LDK-së, Sami Hamiti, i cili tha se është ‘qesharake’ që të kërkohet në rend dite diskutimi për zgjedhjet lokale në Podujevë.


“Nëse dëshirojmë ne me diskutua, ne mund të diskutojmë në prizmin tonë kryeshefin me pyet se nëse caktohet data a jemi të gatshëm me i mbajt. Por datë me caktua jemi jashtë asaj… Me u caktua data edhe çështjet tjera nuk është kompetencë e jona edhe nuk kemi çfarë diskutojmë. Është qesharake me kërku me e fut në rend dite edhe me diskutua për çka nuk jemi kompetent. Edhe nuk i kemi shty zgjedhjet, as i caktojmë as i shtyjmë”, ka shtuar Hamiti.

Një ditë para se të mbaheshin zgjedhjet në Podujevë, me vendim të presidencës me 14 mars është marrë vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për kryetar komune.

Ndryshe, në mbledhjet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të enjten është bërë e ditur se janë  pezulluar dy parti politike për shkak se nuk kanë azhurnuar të dhënat vjetore. Bëhet fjalë për partitë politike Lëvizja për Drejtësi (LD) dhe Samostalna Liberalna Stranka (SLS).

KQZ, duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike u ka dhënë afat prej 20 ditësh për të dorëzuar të dhënat e ndryshuara vjetore. Nëse brenda afatit të paraparë nuk dorëzohen ndryshimet e kërkuara, hapi i radhës i KQZ-së është çregjistrimi i këtyre partive politike.

Këto parti politike kanë afat 24 orësh për të parashtruar ankesën e tyre eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Po ashtu nga 48 parti politike të regjistruara, vetëm një parti politike nuk ka dorëzuar në afatin e paraparë raportin e shpenzimeve vjetore. Afati i fundit për dorëzimin e raporteve të vitit 2019 ka qenë data 1 mars 2020. Evropska Stranka Demokratske Akcije (ESDAK) është emri i partisë politike e cila është gjobitur me 1,000 euro gjobë bazë si dhe me gjobë ditore prej 0.01% të kësaj shumë për secilën ditë vonesë deri në dorëzimin e raportit vjetor financiar.

 

Lexo edhe

error: