Veteranët e UÇK-së sot në protestë

Veteranët e UÇK-së sot në protestë

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës sot do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës dhe Kuvendit të Kosovës për të shprehur kundërshtimin e tyre në lidhje me miratimin e Projektligji për rritjen e pagës minimale por që lë jashtë rritjes pensionet e tyre.

Të martën Kuvendi i Kosovës miratoi në parim, me 68 vota për, projektligjin që përcakton pagën minimale. Për kalimin e këtij projektligji ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ata të Listës Serbe, ndërsa komunitetet e tjera joshumicë abstenuan. Projektligji është kundërshtuar nga opozita, e cila nuk mori pjesë në votim.

Për këto organizata, deputetët me miratimin e këtij projektligji kanë vepruar kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit, me ndonjë përjashtim, së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë Projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale… Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. ‘Deri në kategorizimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik’, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale”, u tha në reagimin e këtyre organizatave.

Për Lëvizjen Vetëvendosje veteranët nuk janë përjashtuar nga ligji për pagën minimale pasi ndarja e pensionit të veteranit me pagën minimale ka ndodhur vite më parë.

“Ligji është miratuar për pagën minimale të sektorit privat. Ndarja e pensionit të veteranit është bërë në vitin 2016 nga qeveritë paraprake dhe ligjshmëria në pagën minimale është ndarë në atë kohë. Kësaj radhe në trajtim ashtu siç e dini nga Qeveria e Kosovës edhe në dialogun e Këshillit ekonomiko-social është diskutuar vetëm për sektorin privat”, ka deklaruar Kusari-Lila, shefe e GP të LVV në Kuvendin e Kosovës.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës disa herë kanë përmendur edhe pastrimin e listave të veteranëve.  


Partitë opozitare, PDK dhe AAK kanë qenë zëshëm në mbrojtje të veteranëve dhe kërkesave të tyre, duke kërkuar nga qeveria të tërheq ligjin dhe ta ridërgojë në Kuvend të korrigjuar.

Për Xhavit Jasharin nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, deputetët të cilët votuan për këtë projektligj janë mjeranë, ndërsa sipas tij në këtë mënyrë serbët ia arritën qëllimin që të godasin luftën e UÇK-së.

Jashari, për KosovaPress, nuk e përjashtoi mundësinë që protesta e sotme të vazhdojë deri në realizmin e kërkesës së tyre, që është tërheqja prapa e këtij projektligji.

“Në protestën që e mbajtëm di të më parë ku unë bëra thirrje publikisht se Albin Kurti po punon për ta kthyer Serbinë, unë sot do t’ia them të kundërtën, që Albin Kurti dhe kjo qeveri nuk do të mund ta kthejë kurrë Serbinë këtu, sepse kjo liri është fituar me mund, me përpjekje të mëdha. Është një rrugë plot sakrificë, është një rrugë plot merita, është një rrugë plot nder, është krenaria më e madhe e këtij populli dhe kombi, pas luftës së Skënderbeut, është lufta e lavdishme e UÇK-së me kryekomandantin e saj legjendar, Adem Jasharin. Dhe sot këto institucione, të zgjedhurit e popullit, deputetët që e keqpërdorën besimin që ua ka dhënë populli, sepse pjesë e këtij populli janë edhe këto kategori, për turpin e tyre u keqpërdorë”, deklaroi Jashari për KosovaPress.

Deputeti i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje i cili e ka lëshuar sallën në kundërshtim të projektligjit që përcakton pagën minimale, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve, thotë se do të jetë kundër qeverisë nëse e njëjta nuk reflekton për kategoritë e dala nga lufta.

Fatmir Humolli nuk do t’i bashkohet protestës së sotme, por thotë se protestën e tij do ta bëjë brenda institucionit të Kuvendit të Kosovës.

“I përkrah protestat por nuk do jem në protestë në rrugë sepse po besoj se ka hapësirë ende që protesta ime brenda institucionit të jep rezultat pozitiv në favor të bashkëluftëtarëve. Mosrespektimi i qytetarëve dhe injorimi i kategorive te dala nga lufta nga qeveria është gabim i madh. Unë do jem ne mbrojtje të bashkëluftëtarëve dhe misionit të luftës që ka qenë që populli ynë të jetojë i lirë dhe me dinjitet në vendin tonë, qeveria nuk po e kryen ketë mision që ia ka dhënë vetes në fushatën elektorale. Nëse reflekton qeveria do të jem në ndihmë të qeverisë, nëse jo atëherë do jem kundër saj. Deputetet kanë obligim ndaj elektoratit e jo ndaj qeverisë apo individit”, tha Humolli për KosovaPress.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.