Vërshimet në Malishevë, aktualisht gjendja e qetësuar

Vërshimet në Malishevë, aktualisht gjendja e qetësuar

Reshjet e shiut që kanë filluar nga e shtuna kanë bërë që të shkaktojnë vërshime në disa komuna, por në Komunën e Malishevës nuk kanë shkaktuar probleme të mëdha.

Zëdhënësi i kësaj komune, Valmir Gashi tha për KosovaPress se vërshimet kanë qenë të theksuara gjatë vikendit, sipas tij të tejkalueshme.

“Edhe Komuna e Malishevës ka qenë e prekur për shkak të vërshimeve që kanë qenë më të theksuara gjatë vikendit që lamë pas… Marrë në tërësi nuk është se ka qenë ndonjë problematikë shumë e madhe, me përjashtim të disa akseve rrugore, kryesisht ura që në momentin kur ka pas shumë vërshime edhe janë bllokuar për disa orë për qarkullimin e makinave”, tha Gashi.

Ai shtoi se komuna ka qenë e gatshme t’i ofrojë qytetarëve ndihmë në çdo kohë.


“Aktualisht në Komunën e Malishevës nuk e kemi asnjë aks rrugor që është i bllokuar. Gjatë ditës së djeshme kryetari i komunës bashkë me një pjesë të qeverisjes komunale kanë qenë në terren për të parë këto akse rrugore të cilat i ka dëmtuar situata me vërshime…Vullneti dhe iniciativa e kryetarit që në momentin kur janë shfaqur vërshimet ka qenë e mobilizuar që me drejtoritë përkatëse të qëndrojë afër qytetarëve, bizneseve përmes kompanive që i ka të kontraktuara komuna, kemi bërë ndërhyrje të menjëhershme që të ndihmohen kushdo që ka nevojë”, tha Gashi.

Sa i përket dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, Gashi tha se komisioni komunal është në terren duke i vlerësuar ato. Sipas tij dëmet janë kryesisht në zonat rurale.

“Është herët të flitet për nivelin e dëmeve që kanë shkaktuar këto vërshime, mirëpo komisioni komunal qe përfshihet pothuajse për secilën drejtori, tashmë janë në terren duke marrë informacione në mënyrë qe te dihet më saktësisht vlera e dëmeve kompensohen…Dëmet janë më shume në zonat rurale, pjesët e bujqësisë kryesisht bizneset apo veprimtaritë e fermerëve që janë”, tha ai.

Më tej, ai tha se projektet e reja që janë duke u adresuar nga qeverisja Kastrati kanë dhënë efektin e saj që qendra e qytetit nuk ka qenë e bllokuar nëse e krahasohet më të kaluarën, në të cilën ka pasur probleme gjatë vërshimeve.

Lexo edhe

Video