Vërshime në Istog, gjendja e rëndë në disa familje, biznese dhe toka bujqësore

Vërshimet kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në disa familje dhe biznese në qendër të Istogut, ku në objektet e tyre ka depërtuar ujë, por probleme me vërshimet kanë edhe të gjitha fshatrat e kësaj komune, ku janë bërë dëme të mëdha në familje dhe toka bujqësore.

Drejtor i shërbimeve publike në Komunën e Istogut, Abedin Kabashi ka thënë për KosovaPress, se gjendja është e rënduar në një pjesë të qendrës së Istogut dhe fshatra.

“Reshjet kanë vazhduar edhe ditën e sotme, edhe natën, gjendja është e rëndë përfshirë të gjitha fshatrat kanë telashe dhe vërshime. Ne si komunë jemi duke intervenuar në të gjitha zonat në bashkëpunim me institute. Për momentin jemi në terren edhe me kryetarin së bashku me sanu gjendjen. Për momentin ka dëme në disa objekte biznesore, po ashtu edhe në familjare, jemi duke bërë të pa mundurën i zhduk këto telashe. .Dëme janë kryesisht në qendër të qytetit, në disa biznese ka depërtuar uji dhe në disa lokacione të tjera. Po ashtu, edhe në fshatra kemi dëmtim të pronave janë më të rënda. Në disa zona të bujqësisë ka dëme të konsiderueshme…realisht vërshimet janë të vështirë të menaxhohet por ne jemi duke bërë përpjekje maksimale për të bërë më të mirën e mundshme që të ketë sa më pak dëme”, tha ai.


Ai tha se në këtë situatë kanë marrë mbështetjen e bizneseve të cilët me eskavator kanë dal dhe po punojnë në lokalitetet që ka probleme.

“Jemi bashkë me kryetarin në terren për momentin, jemi në lokacion në pjesën e Kaliqanit, Vrellq edhe po vazhdojmë tutje me pjesë të tjera. Jemi në të gjitha fshatrat duke i vizituar, po ashtu jemi duke marrë përkrahjen e bizneseve që kanë ekskavator të ndryshëm që janë dal të gjithë në terren në të gjitha lokalitetet që ka probleme, kompanitë janë duke punuar“, tha ai.

Gjendje e vështirë, pas reshjeve janë raportuar edhe në Pejë e Deçan.

Video