Vendoset gurthemeli i Shtëpisë për Qëndrim Ditor për të Moshuarit dhe kuzhinës humanitare në Vushtrri

Është vendosur gurthemeli i Shtëpisë për Qëndrim Ditor për të Moshuarit dhe Kuzhinës humanitare në qytetin e Vushtrrisë.

Objekti me vlerë prej një milion eurosh do të ndërtohet në një hapësirë prej 2.2 hektarësh, e që kuzhina humanitare aty do të ketë kapacitet për 300 persona.

Për nisjen e ndërtimit të këtij objekti u shpreh i lumtur, kryetari në shkuarje i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i cili tha se kjo ishte një ëndërr e kamotshme e cila po fillon të bëhet realitet. Vënien e gurthemelit për këtë objekt e kanë mirëpritur edhe qytetarët.

Tahiri u shpreh edhe kjo është edhe e bukur për të që ta përfundojë shërbimin katër vjeçar të Vushtrrisë duke filluar një punë madhështore siç është objekti për shtëpinë e të moshuarve.

“Sot është një ditë e jashtëzakonshme dhe tepër e rëndësishme për qytetin tonë. Komuna e Vushtrrisë bashkë me Shoqatën Humanitari ‘Jetimat e Ballkanit’ muaj më parë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për të ndërtuar shtëpinë për qëndrim ditor për të moshuar në qytetin e Vushtrrisë dhe kuzhinën humanitare me kapacitet për 300 persona. Prandaj jam shumë i nderuar që një ëndërr të kamotshme të qytetit po e bëjmë realitet. Komuna e Vushtrrisë ka ndarë këtë hapësirë, për çka unë dua ta falënderoj Qeverinë e Kosovës që i ka kthyer këtë hapësirë publike prej 2.2 hektarësh komunës së Vushtrrisë dhe tani e tutje kjo hapësirë me lumin afër do të jenë në shërbim të qytetarëve të Vushtrrisë nuk ka mënyrë më të bukur për mua dhe për ekipin që të përfundojmë shërbimin tonë katër vjeçar në qytetin e Vushtrrisë sesa duke filluar një punë madhështore dhe të vlefshme për qytetin e Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Tahiri theksoi se objekti do të krijoj kushte më të mira për të moshuarit dhe do të ketë kujdes shëndetësor.

“Ky Projekt me vlerë prej një milion euro do të krijojë kushte për të moshuarit tonë, do të krijojmë kushte më të mira për gjyshërit e gjyshet tona, një vend ku do të ketë kujdes shëndetësor, ushqim e do të ketë përkujdesje sociale për të gjithë”, theksoi Tahiri.

I lumtur për vënien e këtij gurthemeli u shpreh edhe Halil Kastrati nga Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, i cili theksoi se objekti i të moshuarve që do të ndërtohet në Vushtrri do të jetë shembull për të gjithë botës.


“Ne sot po e nisim për më të dashurit tonë këtë projekt me shpresën që do të gjejnë qetësi, rehati shpirtërore për të kaluar kohën në këtë objekt. Mendoj që ka me qenë standard shumë i mirë, sepse kemi përvojë me shtëpinë e të moshuarve që kemi në Suharekë, dhe mendoj që edhe kjo shtëpi do të jetë shembull për gjithë botën sepse është standardi jashtëzakonisht i mirë”, u shpreh Kastrati.

Të moshuarit e Vushtrrisë janë shprehur të lumtur për ndërtimin e objektit të shtëpisë ku edhe kanë shtuar se shtëpi të tilla do të duhet të ishin në çdo qytet.

Kryetar i shoqatës së veteranëve të arsimit, Halil Mulaku tha se është i lumtur për këtë projekt.

“Ndonëse jam më i moshuar i përgëzojë për këtë begati që na kanë mundësuar neve të moshuarve, dhe që kjo iniciativë të kryhet edhe në vendet tjera dhe më në fund t’i bëjmë hesap edhe jetët e të moshuarve”, shton ai.  

Mustafë Halimi veteran i arsimit tha për KosovaPress se ky gurthemel është një vepër madhështore për të cilën qyteti ka pasur nevojë.

“Gurthemeli i cili u hedh sot është një vepër madhore e Komunës së Vushtrrisë bashkë me Halil Kastratin sepse komuna ka pasur nevojë për një qëndrim ditor por edhe natën për pleqtë e Vushtrrisë. Sigurisht çdo vend ka të moshuar dhe ata kanë nevojë më kalu kohën me njëri tjetrin,” shton ai.  

E qytetari tjetër, Nasu Zeqiri tha se një shtëpi e të moshuarve në këtë kohë është mëse e nevojshme, meqë të rinjtë po janë të zënë me punët e tyre.

“Zoti i shpërbleftë këta njerëz që kanë menduar për këto raste, zoti inshallaah të mirat ja qon familjes që 1 cent e japin për këtë humanitet se kjo është humanitet për njerëzit që kanë nevojë kjo është shumë me vlerë .Po sigurisht se tani rinia po punojnë, dhe tash kujdesi në familje për pleqtë është mangu,” ka thënë ai.

Lexo edhe

Video

error: