Vendimi i Kushtetueses për Pagën Minimale, veteranët paralajmërojnë protesta
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (OVL UÇK), Faton Klinaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për mospërfshirjen e veteranëve në ligjin për pagën minimale.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Klinaku ka paralajmëruar protesta kundër pushtetit të Kurtit, i cili sipas tij, po punon kundër veteranëve të UÇK-së.
“Qëndrimet tona se do t’i vazhdojmë protestat kundër këtij pushteti i cili vazhdimisht ka punuar kundër veteranëve të luftës së UÇK-së dhe shtresave tjera të shoqërisë, mbeten të pandryshueshme.”-ka shkruar ai.
Kujtojmë se sot gjatë ditës, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë qeverisë për Ligjin për Pagën Minimale i cili nuk i përfshin pensionet e veteranëve të luftës së UÇK-së.
Sipas njoftimit, Kushtetuesja e ka vlerësuar kërkesën e kryetarit të grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahirit dhe nëntë deputetëve të tjerë, ku konstatoi se neni 2 i Ligjt për Veteranët e Luftës së UÇK-së nuk është në kundërshtim më Ligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që Përcaktojnë Shumën e Beneficionit në Lartëri të Pagës Minimale.