Vdiq nga plagët e marra, arrestohen dy persona

Vdiq nga plagët e marra, arrestohen dy persona

Një person ka mbetur i plagosur në dyqanin e tij në Mitrovicë. Ndonëse ishte dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal, i njëjti nuk ka arritur t’u bëjë ballë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin, policia e Kosovës ka arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar  me datën 27 dhjetor 2021, ku cak ishte një barnatore.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se e gjithë kjo ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:24, kur policia në Mitrovicë ka pranuar informacion për të shtëna  me armë zjarri në  rrugën “Mbretëresha Teutë”. Me të pranuar informacionin në vendin e ngjarjes me urgjencë kanë dalë  të gjitha njësitet e nevojshme policore.

Nga  informacionet e para nga vendi i ngjarjes, bëhet e ditur se si pasojë e të shtënave nga ana e dy të dyshuarve i plagosur  në dyqanin e tij kishte mbetur viktima /mashkull kosovar të cilin me urgjencë e kanë  dërguar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë. Ndërkohë nga autoritetet spitalore është raportuar se i plagosurit, viktima A. M., 58-vjeçar, si pasojë e plagëve kishte vdekur. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë  veprime të shpejta policore, në vendin e ngjarjes është gjetur një predhë dhe dy gëzhoja, ndërsa  për një kohë të shkurtër  janë identifikuar dhe arrestuar dy persona të dyshuar, si dhe janë sekuestruar një armë pistoletë, dorëza, një thikë dhe dëshmi tjera që ndërlidhen me veprën penale.


Mbi bazën e veprimeve hetimore dhe provave të siguruara, dyshimet  janë ngritur  se dy të dyshuarit të maskuar dhe nën kërcënimin e armës kanë hyrë në dyqanin e viktimës ku gjatë ballafaqimit me viktimën, njëri prej të dyshuarve ka shtënë dhe  ka plagosur viktimën me pasojë vdekjeprurëse. 

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit të rastit dy të dyshuarve M. H.,30 vjeçar dhe G. R., 19 vjeçar,  u është caktuar masa e ndalimit policor. 

Në bazë të ekzaminimit të provave materiale, dy të dyshuarit e lartcekur dyshohen se kanë kryer edhe grabitjen e raportuar  me datën 27 dhjetor 2021, ku cak i grabitjes ishte një barnatore.

Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre që të identifikohet drejtimi i ikjes së të dyshuarve dhe kjo ka rezultuar me arrestimin e shpejtë të tyre.

Lexo edhe

Video