Në moshën 47 vjeçare ka ndërruar jetë Merita Mehmetaj ish e fejuara e heroit Adrian Krasniqit.
Varrimi do të bëhet më 28 janar, në ora 14:00 në varrezat e fshatit Dubovë e Madhe të Pejës.
Merita ishte një vajzë shqiptare të cilën jeta e sfidoi pa mëshirshëm gjatë tërë jetës së saj. Qysh në bankat e shkollës së mesme (vitet e 90),përjetoi helmimet në shkolla, ku ishin helmuar të rinjtë tanë nga regjimi serbë.
Ajo qëndroi pranë heroit Adriani Krasniqi, duke e dhënë kontribut të çmuar derisa ata vepronin në Tiranë.
Në fund të javës së parë të shkurtit 1997, Adrian Krasniqi bashkë me Ilir Konushefcin kalojnë në Shqipëri për të vazhduar veprimtarinë atdhetare.
Në fillim të marsit 1997, Adrian Krasniqi i shkruan një letër vëllaut, Ilirit dhe e informon për veprimtarinë e tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë letër e cila gjendet në arkivin e LPK-së, Adriani përmend edhe të fejuarën e tij Meritën.
LETËR E SHKRUAR PËR VËLLAUN
Mirëmbrëma i nderuari vëlla ILIR!
Së pari pranoni përshëndetjet e mia nga vëllau i juaj, ADRIANI, që të gjithëve ju do shumë, dhe mungesën e juaj e ndjen në çdo moment dhe në çdo situatë.
Me shëndet jemi mirë dhe besoj që kjo letër e imja t’ju gjejë edhe juve në pozitë shëndetësore të shkëlqyer.
Përmbajtja apo qëllimi kryesor i dërgimit të kësaj letre është informimi juaj për veprimtarinë time, duke e ndjerë veten si borxhli ndaj familjes, por edhe duke ju përgatitur edhe për të papriturat që mund të ndodhin në të ardhmen. Besoj që punën apo veprimtarinë patriotike që jam duke e zhvilluar unë do të kishit zhvilluar edhe ju, por fati deshi që unë njëherë për njëherë t’i përgjigjem thirrjes së atdheut, që bijtë e tij t’i dalin zot në këto momente të vështira dhe tejet kritike, duke mos kursyer as gjënë më të shtrenjtë “Jetën”.
Si anëtar i organizatës militante UҪK, për borxhin ndaj atdheut dhe për betimin e bërë para shokëve, më duhet të qëndroj besnik i kësaj “rruge deri në vdekje”.
E di, që RRUGA të cilën e kam filluar (jo sot) nuk është e shtruar me lule, por është plot rreziqe, plot e përplot pengesa, mirëpo ato nuk më pengojnë, sepse shpirti im është gatuar në atë formë që do t’i kalojë të gjitha, por ai bëhet më i fortë, më i pathyeshëm kur ka edhe përkrahjen tuaj (familjare) dhe kjo e di se nuk do të më mungoj.
Më vjen keq që për në Kosovë ika pa ju informuar. Mirëpo mendova se mosinformimi juaj është më i qëlluar, deku [menduar] se do t’ju shqetësoja.
Përfundimisht vendosëm që për një kohë jo të gjatë t’i ngjeshim radhët tona në mënyrë që goditja që do të pasoi nga ne (të jetë një grusht hekuri që do ta dridhë Serbinë).
Lufta jonë do të vazhdojë derisa ta detyrojmë pushtuesin të heqë dorë nga Kosova jonë e dashur.
Lufta do të jetë e vështirë, do të derdhet gjak, do të ketë viktima, por ne jemi të pamposhtur, të pathyeshëm në “Rrugën e Lirisë”.
I dashuri dhe kurrë i paharruari vëlla
Kam shumë gjëra për të shkruar, por besoj se do të takohemi së shpejti dhe do të çmallemi me njëri-tjetrin, prandaj, këtu po e mbylli këtë shkrim.
Dhe së fundi s’më mbetet gjë tjetër pos që t’ju uroj suksese duke thënë “dalshim faqebardhë ju në mesin tuaj e unë në timin.”
Vërejtje:
Memi në asnjë mënyrë të mos kuptojë ndonjë gjë, sepse e merr për tragjike, ndërsa ju jeni burrë dhe këto gjëra i kuptoni.
“Ju puthi të gjithëve unë dhe Merita”, sidomos dy mbesat e xhaxhit, “Tinën dhe Doruntinën”.
Me nderime, përgjithmonë i juaji gjer në vdekje,
Ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Adrian Rexhep Krasniqi