Vdekja e futbollistit të Trepçës ’89, Ademi: Talent i jashtëzakonshëm, sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës

Vdekja e futbollistit të Trepçës ’89, Ademi: Talent i jashtëzakonshëm, sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës

Vdekja e futbollistit 17 vjeçar të Trepçës ’89, Erion Kajtazi ka tronditur futbollin vendor, por edhe opinion e Kosovës në përgjithësi.

Kajtazi ishte duke luajtur në ndeshjen A&N-Trepça ’89 në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur pësoi arrest kardiak në fushë, raporton KosovaPress.

Pavarësisht përpjekjeve nga stafet mjekësore të dy skuadrave, ku të dyja intervenuan me shpejtësi për t’i ofruar ndihmën dhe për ta dërguar në spital, u konstatua vdekja e Kajtazit nga arresti kardiak.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka reaguar për rastin në fjalë, ku i shprehu ngushëllime familjes Kajtazi.

Po ashtu, Ademi tha se Erioni ishte një talent i jashtëzakonshëm, por që sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës.

Telegramin e ngushëllimit të Agim Ademit për vdekjen e Erion Kajtazit e gjeni më poshtë.

“Thellësisht i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e futbollistit të FC Trepça’89 dhe anëtarit të ekipeve të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, Erion Kajtazi.


Një lajm që na tronditi dhe preku zemrat e gjithsecilit prej nesh si komunitet i futbollit, por edhe opinionin e Kosovës në përgjithësi.

Vdekja e parakohshme i ndali në gjysmë ëndrrat e tij rinore dhe futbollistike.

Erioni ndërroi jetë në fushën e gjelbër, aty ku filloi ta jetësonte ëndrrën e tij për t’u bërë një futbollist i madh, me të cilin do të krenohej jo vetëm familja, por edhe i gjithë kombi.

Erioni ishte talent i jashtëzakonshëm, por sot u shua për të udhëtuar drejt parajsës, e për jetuar përgjithmonë i freskët në kujtimet e familjes, bashkëlojtarëve dhe tërë komunitetit të futbollit.

Në këtë ditë të rëndë pikëllimi, në emrin tim, të KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, dua t’ua përcjell ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe bashkëlojtarëve e miqve të Erionit.

Sot, i gjithë komuniteti i futbollit, e nderon dhe e kujton me lot në sy djaloshin shembullor dardan!

Lamtumirë Erion!

I përjetshëm kujtimi për Ty!”, shkruante Ademi në “Facebook”.

Lexo edhe

Video