Vazhdon aksioni për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në zonën e Brezovicës
Lexohet për: 3 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se është duke vazhduar aksionin për sekuestrimin e objekteve të ndërtuara në Brezovicë, konkretisht në zonën e III-të, të Parkut Kombëtar “Sharri”.

“Edhe ky aksion i sotëm i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është vazhdimësi i aksioneve të mëhershme në zonën e Brezovicës”, njoftuan nga prokuroria.

Në rastin e njohur “Brezovica” janë vënë nën sekuestro 75 vila, pronarë të të cilave janë politikanë, biznesmenë si dhe gjykatës të të gjitha niveleve. Së fundmi u raportua se ka pasur tendenca nga njerëz brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë për të ndërhyrë në këtë rast e cila i ka kaluar Gjykatës Themelore të Pejës.

Aksionet për rastin “Brezovica” kanë qenë të shtrira në disa ditë ku janë sekuestruar objektet e ndërtimit në Brezovicë - Zona e II-të, e Parkut Kombëtar “Sharri”.

Hetimet e para vërtetuan se në këtë zonë janë të ndërtuara rreth 100 objekte në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” nr.04/L-087 si dhe Planin Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës.

Sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajt, këto vila janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, me çka kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e veprave penale.

Ditë më parë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka bërë thirrje që rasti “Brezovica”, të hetohet deri në fund pa ndërhyrje. Kështu u shpreh ajo, pas reagimit të shoqërisë civile se Haxhiu po ndërhyn në këtë rast. Para mediave kishte thënë se është e papranueshme që gjyqtarët e prokurorët të ndërhyjnë në këtë rast.

“Unë me shqetësim kam parë deklaratat e para disa ditëve, ku prokurorit të rastit dhe gjyqtarit të rastit i është bërë presion nga gjyqtarët të cilët i kanë pronat e tyre në këtë vend. Dhe kjo është arsyeja pse unë kam reaguar, sepse për mua është e papranueshme që një gjyqtar, një prokuror të tentojë të ndërhyjë me një rast i cili po hetohet nga prokuroria. Si ministre e Drejtësisë bëj thirrje që ky rast duhet të hetohet deri në fund. Personat të cilët janë të përfshirë në afera të tilla, në skandale të tilla, në paligjshmëri duhet të marrin dënimin e merituar. Për këtë do të bëjë thirrje në vazhdimësi, pavarësisht nëse shoqëria civile e konsideron deklaratën time ndërhyrje apo jo”, pati thënë Haxhiu.

Po ashtu, ministrja Haxhiu pati deklaruar se ky hetim po prek persona të niveleve të ndryshme.

“Për herë të parë po ndodhë një hetim që prek persona të cilët janë te niveleve të ndryshme. Qoftë nga institucionet të nivelit lokal apo qendror, qoftë nga personat të cilët bëjnë punë të tjera që janë kryesisht ato private dhe në këtë drejtim unë vlerësoj që ky rast duhet të procedohet në mënyrë të pa penguar, as nga politika, as nga gjyqtarët e prokurorët”, pati thënë ajo.?

https://kosovapress.com/rasti-brezovica-caktohet-paraburgim-ndaj-shtate-te-dyshuarve/
https://kosovapress.com/haxhiu-u-kritikua-se-nderhyri-ne-rastin-brezovica-por-thote-se-do-te-beje-thirrje-ne-vazhdimesi/
https://kosovapress.com/%e2%80%8bvazhdon-sekuestrimi-i-objekteve-te-ndertuara-ne-zonen-e-brezovices/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024