“Varri i kosovarit”, si e gjetën dhe u përkujdesën për trupin e pajetë të martirit Vegim Qerkezi

“Varri i kosovarit”, si e gjetën dhe u përkujdesën për trupin e pajetë të martirit Vegim Qerkezi

Prej të premtes së 3 korrikut, eshtrat e martirit Vegim Qerkezi pushojnë në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në Gjakovë. Ai dhe dhjetë meshkuj të tjerë u rrëmbyen më 27 mars 1999 në shtëpinë e Halim Qerkezit në lagjen “Blloku i Ri” të Gjakovës.

Në atë ditë të kobshme, forcat policore dhe ushtarake serbe në mënyrë të dhunshme hynë në shtëpinë ku sot jeton e vetme nënë Ferdonije Qerkezi. Aty rrëmbyen 11 meshkuj, ndër ta të zotin e shtëpisë Halimin me katër djemtë, Artanin, Armendin, Ardianin, Edmondin, nipin Vegim Qerkezin, mikun e shtëpisë Shpejtim Ymeraga si dhe fqinjët Skënder Dylhasi me djalin Myrtezanë dhe Shpend e Fatos Jetishin.

Vegimi ishte vetëm 18-vjeç kur u largua dhunshëm nga Gjakova dhe në vitin kur ai duhej të ishte 40-vjeç u rikthye në arkivol. Edhe 21 vite pas luftës, të kesh një varr për bijtë e burrat e tyre që konsiderohen si të zhdukur është kërkesa minimale e familjarëve në Kosovë.

Gjatë kësaj kohe, Vegimi ishte varrosur në fshatin Domaj në afërsi të Kukësit nga të tjerë refugjatë që ishin strehuar aty dhe banorë të zonës pasi më parë rrjedha e lumit Drin e kishte dërguar andej kufirit shqiptaro-shqiptar. Varri ku prehej Vegimi njihej si “varri i kosovarit”. Në fund të vitit 2017 ishte zhvendosur në Kosovë ku kishin fillaur procedurat e identifikimit.

Ramadan Totaj, një nga refugjatët e fshatit Gjonaj të Prizrenit që ishin vendosur në fshatin Domaj, ishte lajmëruar nga disa peshkatarë të zonës se kishin hasur në një trup të pajetë dhe i kërkuan ndihmë për ta identifikuar.

Në një rrëfim për KosovaPress, Totaj tregon se ishte maji i vitit 1999 kur trupi i pajetë kishte rënë në rrjetën e disa peshkatarëve dhe kishte vendosur të njoftonte të gjithë duke folur me gazetarë dhe policë shqiptarë.

“Meqenëse ne ishim të vendosur aty si refugjatë në fshatin Domaj banorët e atjeshit që merreshin me peshkim, disa peshkatarë na njoftuan se ka rënë kufoma e të ndjerit tashmë në rrjetën e peshkimit dhe duke menduar qe do e njohim ne, kanë insistuar që të shkojmë tek bregu i liqenit të shohim kufomën. E tërhoqëm dhe kur deshëm të informojmë këtë rast, prej Dome me një varkë kemi dalë në Morinë. Aty lajmëruam gazetarë, policë dhe kufitarë të Kukësit bashkë me ta jemi kthyer, por vala e lumit e ka bartur. […] Në ditën e dytë kemi shkuar kemi dalë bregut të Drinit, unë, babi i ndjerë Hamdiu dhe bashkë me disa vëllezër e kemi gjetur, e kemi lidhur me litar me një shkurre. …E kemi tërhequr nga uji e kemi bërë një varrë, ka qenë muaji maj”, tha ai.

Totaj kujton edhe pamjen e parë të trupit të pajetë, për të cilin thotë se është ekzekutuar në pjesën e nofullës.

“Trupi i Vegimit ka qenë në ujë dhe fytyra ka qenë e deformuar. Me siguri është ekzekutuar në pjesën e nofullës, kështu ka qenë në ujë përmbys”, rrëfen ai

Totaj tha se edhe pasi ishte kthyer në Kosovë, ai kishte shkuar disa herë në Domaj të përkujdeset për varrin që mos t’i humbin gjurmët.

Ai thotë se tashmë ndjehet mirë që trupi i Vegimit prehet aty ku e meriton pasi që vazhdimisht i ishte shfaqur në ëndërr me mesazhin se për të askush nuk po përkujdesej.

Në ditën e rivarrimit të Vegimit, më të lehtësuar u panë edhe familja e martirit për fatin e të cilit nuk kishin ditur asgjë për 21 vite.

Babai i Vegimit, Kasim Qerkezi në një rrëfim për KosovaPress thotë se tashmë ndihen më të lehtësuar pasi që i kanë gjetur eshtrat e djalit të tyre. Ai kujton takimin e fundit me të birin mëngjesin e 27 marsit 1999.


“Jemi të lehtësuar shpirtërisht pak se 21 vite me radhë e kemi kërkuar… më 27 mars 1999 ka qenë dita e fundit që jemi takuar në mëngjes po atë mbrëmje i kanë marrë, nuk kemi pasur asnjë kontakt me tepër se 27 marsin e vitit 99… kërkimet tona kanë qenë vazhdimisht si familje por edhe shoqatat e ndryshme… ka qenë gëzim dhe hidhërim na u realizua një dëshirë e madhe, bile eshtrat t’i gjejmë me na e zbut pak dhimbjen se ajo nuk humb”, u shpreh mes emocionesh babi i Vegimit.

Qerkezi ndau edhe momentin e takimit me familjen Totaj të cilët e kishin gjetur trupin e djalit të tyre dhe e kishin varrosur. Këtë veprim, Kasimi e vlerëson jashtëzakonisht shumë ndërsa shprehet se nuk kishte fjalë si t’i falënderonte.

“Familjet që i takova në fshatin Gjonaj nuk kisha fjalë t’i falënderoj, ishte familje e jashtëzakonshme, bujare e mirë dhe një vepër të cilën e kanë bërë ata ndoshta e kishte bërë edhe dikush tjetër, por rrallë kishte arritur ta bëjë në atë mënyrë”, tha Qerkezi.

Rastin e Vegim Qerkezit, Departamenti për Krime Luftë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e kishte pranuar në vitin 2017 ndonëse ai kishte qenë i njohur edhe më herët por që kishte munguar angazhimi rreth rastit.

Udhëheqësja e këtij departamenti, prokurorja Drita Hajdari, ishte mahnitur me përkujdesjen që i ishte bërë “varrit të kosovarit”, vendi ku prehej Vegimi. Sipas saj, banorët ishin kujdesur që të ruanin të gjitha provat për të identifikuar më lehtë viktimën.

“Ishin vetëm dy faqe, dy letra dhe një informacion që një trup gjendet në rrethinë të Kukës dhe mban emrin ‘varri i kosovarit’. […] Ndërgjegjja nuk më ka lejuar të qëndroj më tepër, menjëherë kam shkuar tek drejtori i Instituti Mjeko-Ligjor, Arsim Gerxhaliu dhe e kam pyetur se a di diçka për këtë rast, më ka thënë ‘po, rasti është i njohur mirëpo nuk ka ekzistuar interesim nga dikush të shkojë të bëjë zhvendosjen në Shqipëri’. […] Terreni ka qenë bukur i vështirë, ka qenë e vështirë të depërtohet deri tek vendi ku fshatarët e kanë varrosur dhe e kanë ruajtur varrin, mund të them se ata kanë bërë një mrekulli fasionante madje me një shishe në një letër të cigares kanë shkruar se çka kishte viktima të veshur dhe atë letër të cigares e ka futur në një shishe që të sigurojnë prova dhe identitetin e viktimës”, tha ai.

Hajdari tha se as idenë më të vogël nuk e kanë pasur se trupi i kujt mund të jetë, por thjesht ka qenë një mendim se dikush po pret përgjigje për të.

Pas rivarrimit të trupit, prokurorja thotë se tash si institucion do të merren me zbardhjen e fakteve dhe kryesve të këtij krimi.

“Para disa ditësh jam informuar se është arritur identifikimi dje për herë të parë e kam parë fotografinë e viktimës, ishte moment emocionues për mua. […] Tash është hapi i dytë kur ne në prokurori do hetojmë rrethanat e vrasjes së tij dhe kryesit e mundshëm”, tha ajo.

Kurse, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur tregoi se si arritën të marrin informacionet për varrin e njohur si “varri i kosovarit” që ndodhej në tokën shqiptare që nga lufta.

Gara tha se pas përfundimit të të gjitha procedurave mjeko-ligjore trupi i Vegim Kasim Qerkezit në Kosovë është rivarrosur në tetorin e vitit 2017.

“Informacionin e kemi pranuar nga familja Totaj nga fshati Gjonaj i Hasit dhe informacioni qe është ndarë me Komisionin për Persona të Zhdukur ka marrë të dhëna mbi cilat ka vazhduar me procedura ligjore. [..] Është për t’u vlerësuar përkushtimi i institucioneve në veçanti të Prokurorisë Speciale, të prokurores Drita Hajdari dhe institucioneve të tjera të Kosovës për te vazhduar me procedurat e tjera ligjore për hetimin dhe zhvarrimin i cili është zhvilluar diku në shtator përkatësisht në javën e parë të shtatorit të vitit 2017, pastaj janë procedurat mjeko-ligjore të identifikimit dhe pas këtyre procedurave familja është njoftuar javën e kaluar”, u shpreh Gara.

Identifikimi i Vegimit ka ngjallur shpresat tek familjet që ende nuk kanë asnjë informacion rreth më të dashurve të tyre të zhdukur prej 21 vitesh. Në Kosovë, nga lufta e fundit, konsiderohen si të pagjetur edhe rreth 1640 persona.

Lexo edhe

Video

error: