UTK për 1 vit nënshkroi 24 marrëveshje bashkëpunimi

Unioni i Turizmit të Kosovës,  sot ka festuar 1-vjetorin e themelimit, me ç’rast edhe ka shpalosur sukseset dhe sfidat. Për vetëm një vit Unioni i Turizmit ka nënshkruar 24 marrëveshje bashkëpunimit, njëra ndër to ajo me Ministrinë e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë. Unioni gjithashtu ka arritur marrëveshje me Unionin e Turizmit të Shqipërisë, si dhe me katër komuna të Kosovës, atë të Prishtinës, Pejës, Prizrenit dhe të Gjakovës.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti tha se turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia, gjë që edhe ka bashkuar për të themeluar një Union për t’u bërë zë i komunitetit tek institucionet.

“Në qershor të vitit të kaluar kemi bërë themelimin me kërkesë të komunitetit duke pasur parasysh nevojën e cila është shfaq sidomos në kohën e pandemisë që të bashkohemi dhe të dhënë kontributin dhe të jemi një zë i fuqishëm në raport me institucionet dhe të gjitha ato veprime dhe nevojat që i ka kërkua komuniteti. Turizmi ishte një ndër sektorët të cilët u dëmtuan më së shumti, u prek qysh në fillim dhe ende vazhdon të jetë një sektor shumë i dëmtuar”, tha ai.

Kryetari i këtij unioni i bëri apel Qeverisë për zhvillimin e turizmit, duke thënë se vetëm për mes tij zhvillohen edhe shumë sektorë të tjerë.

“Po e shfrytëzoj rastin nga kjo foltore të i bëj apel edhe qeverisë që të punojmë bashkërisht me qëllimin e vetëm që të ngrisim turizmin për shkak se me zhvillimin e turizmit zhvillohen edhe shumë sektorë të tjerë… Pa  i lënë anash marrëveshjet me Unionin e turizmit të Shqipërisë, pa i anashkaluar marrëveshjet të cilët i kemi bërë me katër komunat të Kosovës, me komunën e Prishtinës, me komunën e Pejës me komunën e Prizrenit, dhe me komunën e Gjakovës me qëllim që të kontribuojmë bashkërisht dhe të ju ndihmojmë me kapacitet tona qoftë në hartimin e strategjive, projekteve por njëkohësisht edhe të kontribuojmë në avancimin dhe zhvillimin e turizmit të Kosovës në këto pjesë”, tha ai.

Ndërsa zëvendësministri i MINT, Getuar Mjeku tha se këtë vit pritet miratimi i projektligjit për turizmit, ndërsa siguroi se do t’i kushtohet rëndësi e veçantë trashëgimisë kulturore, turizmit lokal, agroturizmit si dhe lumenjve të Kosovës.


“Sivjet po punojmë intensivisht në hartimin e projekt ligjit për turizmit dhe shpresoj që do ta kemi të përmbyllur edhe të miratuar shumë shpejt në kuvend, po punojmë të miratojmë strategjinë për turizmin, dhe me zhvillu me mbërri potencialin tonë për turizmin duke shfrytëzuar potencialin e natyrës, kulturës, duhet me ngrit ofertën turistike në përgjithësi me e ngrit zinxhirin  e vlerës dhe më shfrytëzuar atë duke i kushtuar vëmendje të veçantë trashëgimisë kulturore, turizmit lokal, agroturizmit dhe lumenjve të tjerë. Është detyrë e jona si politikan me punua me hap rrugën për zhvillimin e turizmit dhe turistët që me ardhur në vendin tonë, me lehtësuar barrën administrative”, tha ai.

Klodeta Krasniqi shefe e kabinetit të Ministrit të Kulturës tha se turizmi ndihmon në mobilizimin e resurseve lokale dhe të zhvillimit të qëndrueshëm të qyteteve dhe të komuniteteve.

Sektorët që kjo ministri mbulon kanë qenë shtylla që kanë thithur buxhetin e shtetit, dhe se këto shtylla do t’i kthejnë në shtylla zhvillimorë të vendit shtoi Krasniqi

“Ne si Ministri e Kulturës duke qenë se në dikasterin tonë përfshi disa prej me thonë atyre fushave që botërisht janë dëshmuar të suksesshme me qenë ambasadorë të vlerave tona por edhe në anën tjetër trashëgimin kulturore si një nga asetet kryesore fizike dhe shpirtërore të këtij vendi. Konsiderojmë që turizmi duke qenë se është dëshmuar si një mjet shumë i rëndësishëm në mobilizimin e këtyre resurseve lokale  por gjithashtu edhe në zhvillimin  e qëndrueshëm të qyteteve dhe komuniteteve ka me na shërbyer bashkërisht me juve me promovuar më tutje Kosovën dhe sektorët të cilët ne i mbulojmë me i kthye prej shtyllave që kryesisht e kanë thith buxhetin e shtetit në shtylla zhvillimore të këtij vendi”, tha ajo.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Shqipërisë, Rrahman Kasa tha se Turizmi i Shqipërisë gjatë pandemisë ka mbijetuar falë turistëve nga Kosova, i cili shpreson që në të ardhmen këto dy unione të bëhen një.

“Ne kemi njëri tjetrin sepse kjo e tregoj edhe pandemia kur Shqipëria arriti të mbijetoj në sajë të turizmit nga Kosova por edhe Kosova shfrytëzoj të gjitha resurset e potencialet e veta në sajë të turizmit që vinin nga Republika e  Shqipërisë, ne sot në fakt jemi këtu si dy përfaqësues, nuk do të donim të ishte kështu sepse nuk do të donim fare të kishte një kufi, do të ishte një union”, tha ai.

Ne fund të këtij eventi, Unioni i Turizmit të Kosovës ndau mirënjohje për bashkëpunëtoret e tyre.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.