Ushtria serbe pranë kufirit, Maqedonci akuzon Serbinë për qasje agresive ndaj Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Maqedonci flet për sigurinë në nivel vendi dhe gatishmërinë e FSK-së
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë mbi praninë e forcave të saja ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën me arsyetimin “për pengimin e prerjes ilegale të pyjeve”, duke thënë se një gjë e tillë nuk qëndron dhe paraqet vazhdimin e qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetit tonë.

Prej kur paska filluar ushtria serbe të kryej detyra të ruajtjes së pyjeve dhe për më tepër me ushtarë të armatosur me armë dhe pajisje taktike si dhe me automjete të blinduara ushtarake? Sepse sipas ligjit të pyjeve të Republikës së Serbisë, konkretisht në nenin 40 të tij, është përcaktuar qartë se rojet e pyjeve në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave janë të vetmit zyrtarë për ruajtjen e pyjeve dhe pengimin e prerjes ilegale të tyre brenda territorit të Serbisë, ka shkruar Maqedonci në një postim në Facebook.

Ministri Maqedonci ka akuzuar Serbinë se po vazhdon të përdorë justifikime të paqëndrueshme për prezencën e saj të shtuar ushtarake në kufi, si dhe ushtrimet me avionë luftarakë sulmues, dronë vetëvrasës sulmues siç ishte ushtrimi “Vihor 2024” në Peshter, t'i paraqes si përgatitje ushtarake për mbrojtje të territorit.

Militarizimi i vazhdueshëm i Serbisë dhe veçanërisht vendosja e shumë kapaciteteve ushtarake në jug të territorit të saj, është një tregues për vazhdimësinë e qasjes hegjemoniste dhe agresive të Serbisë në raport me Kosovën dhe fqinjët e tjerë, ka shtuar Maqedonci.

“Republika e Kosovës qëndron e palëkundur në rrugëtimin e saj për integrime euro-atlantike dhe do të mbetet gjithmonë e vendosur që të zhvillojë kapacitete ushtarake sipas standardeve të NATO-s, të afta për të mbrojtur territorin dhe sovranitetin e vendit dhe për të kontribuar për paqe dhe siguri në botë.”

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024