Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP), njëherësh shefja e UNMIK-ut Caroline Ziadeh është deklaruar pas marrëveshjes së sotme ndërmjet palëve të CEFTA-s, përfshirë UNMIK-un për miratimin e një vendimi për ndryshimin e Komitetit të Përbashkët të Rregullores së Punës.
Ziadeh ka thënë se UNMIK-u ka luajtur vazhdimisht një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe mundësimin e bashkëpunimit në CEFTA, duke mbështetur rrugën drejt konsensusit të arritur sot.
Ndryshe, Kosova nga sot nuk do të përfaqësohet më nga UNMIK-u në CEFTA, por nga institucionet e saja.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) synon rritjen e tregtisë në mallra dhe shërbime, synon të eliminojë barrierat tregtare ndërmjet palëve dhe të tërheqë investime në rajon përmes rregullave tregtare të drejta, të qëndrueshme dhe të parashikueshme.
Duke u bazuar në CEFTA-n origjinale, CEFTA e zgjeruar dhe moderne u nënshkrua në dhjetor 2006 nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia.
Rumania, Bullgaria dhe Kroacia janë tërhequr nga CEFTA pas anëtarësimit të tyre në BE.