Ulet papunësia në Shqipëri, INSTAT jep shifrat
Lexohet për: 3 min.
INSTAT
11 muaj më parë
Linku u kopjua

Papunësia në Shqipëri në tremujorin e tretë 2023 është ulur në nivelin e 10.5%.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10.1 % dhe për gratë 11.1 %, sipas INSTAT-it.

“Pritshmëria që unë kisha për papunësinë duhet të ishte nën 10% sepse duke gjykuar nga numri i lartë i turistëve ku thuhet që të kemi pasur rreth 10 milionë turistë dhe ky numër i lartë turistësh duhej të reflektoj në një papunësi më të ulët ndjeshëm pra nëse ne me 10 milionë turistë kemi pak a shumë vetëm 0,1 % më pak papunësi sesa tremujori i tretë i 2022-ishit këtu ka një shpjegim, punonjësit që ne kemi pasur kanë punuar në të zezë dhe nuk është reflektuar në punësim të ligjshëm”, tha Erald Pashaj, ekspert punësimi.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, rritje më të lartë të punësimit ka pasur në sektorin e shërbimeve me 6.1%, krahasuar me tremujorin e tretë 2022.

Papunësia në Shqipëri ulet në shifra historike - KosovaPress

“Shërbimet janë ato që në këtë tremujor kanë kulmin e tyre dhe tremujori i tretë që shënon periudhën korrik-shtator, periudha e kulmit turistik dhe me shërbimet që jepen gjatë gjithë zinxhirit të turizmit është e pritshme të kishte një rritje pak më të madhe”, tha Pashaj.

Pavarësisht uljes së papunësisë në rang vendi, nga shifrat e analizuara del se papunësia është rritur te rinjtë e moshave nga 15-29 vjeç me 1.6%  në tremujorin e tretë 2023, duke arritur në 22%. Për të ndryshuar këtë gjë, eksperti thotë se të rinjtë duhen paguar më shumë, që niveli i papunësisë tek ata të arrijë nën 20%.

“Kemi sot një rritje te grup-mosha 15-29 vjeç, pra ka më shumë të papunë kur ndërkohë kërkesa për punë ka. Kjo shpjegohet me faktin që pagat janë ende të ulëta, pra nuk janë tërheqëse. Kjo ka disa arsye sepse këta të rinjtë mund të mbahen nga familja me një pagesë shumë të vogël, e cila atyre iu mjafton dhe nuk është tërheqëse paga që iu ofrohet nga punëdhënësi për ta lënë pagesën që familja iu jep. Ndërsa e dyta është çështje prestigji duke qenë se jetojmë në këtë botën e globalizuar, nuk shkojnë dhe të punojnë për 25 apo 30 mijë lekë të reja”, tha Pashaj.

Mungesa e fuqisë punëtore është një ndër çështjet më problematike që Shqipëria po përballet, që u pa më së shumti gjatë sezonit turistik, ku ndonëse numri i turistëve ishte i lartë, mungonin punëtorë për t’u ofruar shërbim./tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024