Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se, në mostrat e mbledhura sot në të gjithë vendin, uji i sistemeve të goditura nga shirat dhe përmbytjet, ka ende vlerë të shtuar të turbullirës në ujin e pijshëm.
Nga mostrat laboratorike mikrobiologjike të përpunuara deri më tani, disa nga ato rezultojnë me baktere koliforme dhe si të tilla nuk janë brenda standardeve të parapara, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Edhe sot impiantet e trajtimit të ujit punojnë me kapacitet të redukuar ose janë jashtë funksionit dhe për pasojë shumë zona mbeten pa furnizim 24 orë.
Në mostrat e analizuara nga të njëjtat sisteme, nga analizat laboratorike fiziko-kimike rezulton vlerë e ngritur e turbullirës që i kalon vlerat standarde të lejuara. Parametra të tjerë fiziko-kimikë rezultojnë në lëkundje në varësi të vlerave të turbullirës.
Uji nga këto sisteme nuk i plotëson standardet e kërkuara të ujit të pijshëm.
Në zonat me burime nëntokësore dhe sistemet që nuk u prekën nga reshjet, monitorimi vijon edhe sot dhe ekipet në teren raportuan se analizat laboratorike fiziko-kimike dhe bakteriologjike janë brenda standardeve për ujin e pijshëm.
IKSHPK / Qendra e Ujit rekomandon të gjitha Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) me qëllim të stabilizimit të furnizimit:
përdorimi/shfrytëzim i burimeve të paprekura
furnizimi me autobote/cisterna me ujë të pijshëm
riparimi dhe zhbllokimi i pusetave
riparimi i dëmtimeve në rrjetin shpërndares
kujdes i shtuar në procesin e trajtimit dhe dezinfektimit
IKSHPK / Qendra e Ujit vazhdon monitorimin e ujit për pije dhe përcjelljen e situatës epidemiologjike në këto zona.
IKSHPK / QU vazhdon bashkëpunimin me të gjitha KRU në stabilizimin e furnizimit me ujë të pijshëm dhe normalizimin e situatës.