Komuna e Deçanit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, ka organizuar sot mbledhje komemorative, me rastin e ndarjes nga jeta të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj.
Bashkëshortja e Cenës, Lule Aliçkaj ka kujtuar bashkëshortin e saj, Cen Aliçkaj si komandat për gjithë vendin.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj në një fjalë rasti ka kujtuar luftëtarin Cen Aliçkaj si një person që ka luftuar aq shumë për Kosovën.
Ramosaj tha se për luftëtarin, nderimi dhe respekti duhet të jenë të përhershme dhe jo të përditshme.
Ramosaj po ashtu ka shprehur ngushëllime edhe në emër të Nasim Hardianaj i cili tha se ka dërguar mesazh nga telefoni, që në emër të vet dhe bashkëluftëtarëve që ndodhen në burgun e Hagës, i tha lamtumirë luftëtarit të devotshëm të lirisë, Cen Alickaj.
Komandanti i UÇK-së në zonën operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj tha se i kanë thënë Cimë, pasi ishte shqiptar dhe bashkëluftëtar për të gjithë.
Në emër të shoqatave të luftës në nivel Dukagjini, Gazmend Syla në një fjalë rasti ka vlerësuar Cen Aliçkaj si një figurë të lartë për kombin.
"Ceni dallohet si luftëtar i zoti në betejat Voksh, Junik, Prilep dhe deri ne Koshare. Ai ka qene bashkëluftëtar i shumë heronjve si Shkëlzen Haradinaj, Bekim Berisha, Agim Ramadani, Xhemajl Fetahu e Milazim Berisha e shumë të tjerë, ku ne përpjekje për të tërhequr trupat e pajetë të dy të fundit, Xhemajlit e Milazimit do të merr plagë për vdekje, por misionin e çoi deri në fund. Falë Cenës dhe shokëve të tij sot trupat e heronjve Xhemajlit e Milazimit pushojnë në varrezat e Kosharës", tha Syla.
"Është ditë e rëndë për të gjithë ne, veçanërisht për FSK-në, sepse po e përcjellim një pjesëtar të FSK-së, një patriot të madh, por atë po e përcjellim vetëm fizikisht. Është ndarje e dhimbshme për FSK-në, sepse kemi humbur një njëri me vlera të mëdha... Me vuajtjet, sakrificat që ka kaluar Kosova për të qenë e lirë dhe e pavarur Cena të gjitha etapat ka lënë gjurmë të thella...Cen Aliçkaj në luftën e lavdishme të UÇK-së ishte një ndër luftëtarët e orëve të para dhe krah i fortë i gjeneral Haradinaj. Gjithmonë Cena ishte aty ku ishte fronti dhe beteja", tha Haziri.
Në emër të bashkëluftëtarëve, veteran të UÇK-së, nga Brigada 138 "Agim Ramadani", Anton Çuni ka kujtuar momentin e fundit që kishte me Aliçkaj, derisa ka treguar edhe amanetin që e kishte lënë.
Ndërkaq, ceremonia e varrimit të komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Cen Aliçkaj mbahet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan, në ora 15:00.
Kujtojmë që ushtari i UÇK-së, Cen Aliçkaj ka vdekur të shtunën. Ai ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës. Në fund të viteve ‘80 dhe në fillim të viteve ‘90, Cen Aliçkaj ka qenë njëri ndër organizatorët kryesorë të Lëvizjes së Studentëve dhe aksionit të pajtimeve të gjaqeve. Për shkak të ndjekjeve nga pushteti i atëhershëm, në fillim të viteve të 90-ta ka migruar në Gjermani. Ai edhe atje e ka vazhduar veprimtarinë kombëtare, bashkë më shumë veprimtarë të tjerë. Veprimet ushtarake të Cenës kanë qenë të një niveli të lartë të trimërisë dhe atdhedashurisë.