U asgjësuan 640 tonelata produkte ushqimore, ngec monitorimi i ligjit për duhanin

Qytetarët konsumatorë duhet të kenë kujdes gjatë blerjeve të produkteve ushqimore, pasi që tregu i industrisë ushqimore mbetet i furnizuar edhe me produkte të dyshimta për nga cilësia dhe kalueshmëria e afateve.

Vetëm në vitin 2021, nga Agjencia e Ushqimit janë asgjësuar rreth 640 tonë produkte të mishit dhe produkte të tjera ushqimore që nuk kanë pasur afat, nuk janë ruajtur në kushte adekuate dhe nuk janë trajtuar ashtu siç duhet nga tregtarët.

Kështu ka bërë të ditur ushtrues i detyrës së kryeshefit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, Flamur Kadriu në një intervistë për KosovaPress. Ai thotë se është shtuar edhe numri i ankesave nga ana e konsumatorëve të cilët po hasin në produkte jocilësore dhe pa afat.

Kjo Agjenci në vazhdën e punës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, ka gjobitur mbi 4 mijë biznese dhe mbi 2 mijë qytetarë. Derisa për shkak të këtyre masave antiCovid-19, AUV ka ngecur në monitorimin edhe të ligjit për duhanin.

“Ne kemi asgjësime të produkteve që nuk janë konform legjislacionit, testeve ose testimeve laboratorike, diku 640 mijë kilogramë/litra janë asgjësuar sivjet. Kjo është një sasi jashtëzakonisht e madhe, prej tyre ka që nuk posedohet dokumentacionin e duhur. Prej tyre ka sasi që ka kaluar afati dhe bizneset kanë kërkuar që këto produkte të asgjësohen që mos të kthehen prapë në zinxhirin ushqimor…(11) Ne kemi sasi të ndryshme të mishit, qumështit, të asgjësuara, mirëpo kemi edhe lëngje, dhe pjekurina të ndryshme”, thekson Kadriu. 

Sa i përket ankesave nga konsumatorët, Kadriu thotë se ka pasur një numër të madh të ankesave, të cilat sipas tij, janë proceduar me prioritet.  

“Ne kemi pasur një numër të madh të ankesave sivjet, që unë e konsideroj këtë si pozitive. Komunikimi i përgjithshëm ka mundësuar që të arrihet informata sa më shpejt. Edhe përmes qendrës që është për mbrojtjen  konsumatorit, kemi informata gati të përditshme. Vetëm gjatë muajt të kaluar i kemi pasur diku 7 apo 8 informata direkt prej konsumatorit, por që edhe shpejt i procedojmë dhe i japim prioritet. Sigurisht që ky numër në përqindje është e madhe krahasuar prej vitit të kaluar. Unë e kam marrë detyrën në shtator, vetëm prej shtatorit e deri tash janë mbi 20 informata që i kemi marrë direkt prej konsumatorit”, dekalron ai.


Megjithatë, për shkak të kontrollit më të madh për zbatimin e masave antiCovid-19, Kadriu pranon se mbikëqyrja e zbatimi të ligjit të duhanit ka mbetur anash.

“Ka mbetur anash, është e vërtet që ka mbetur anash, kemi kritika në aspektin  kontrollit të duhanit, mirëpo pamundësia që inspektorët që i kemi marrë për Covid-19 t’i angazhojmë edhe për ligje të tjera ka ngecur. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne s’do t’i marrim masat dhe ta implementojmë ligjin e duhanit, ligj ky i cili mbron shëndetin publik. Inspektorët tanë do të aftësohen krahas pandemisë ta mbikëqyrin edhe zbatimin e ligjit të duhanit… Ne jemi zotuar që prej janarit e tutje ta fillojmë një zbatim më të madh të ligjit të duhanit… Besoj që do ta arrijmë, duke marrë parasysh që inspeksionet tjera do të jenë më të vëmendshme me anë të digjitalizimit, sepse është e dukshme që ligji i duhanit nuk është bash ashtu siç kërkohet duke u respektuar”, thotë ai.

Për shkak të mos respektimit të masave antiCovid, Kadriu ka thënë se më 2021, AUV ka shqiptuar diku 6 mijë e 100 gjoba për persona fizik dhe për persona juridik.

“Kemi shqiptuar diku 6 mijë e 100 gjoba për persona fizik dhe për persona juridik, që bëhet fjalë pra edhe për biznese. Është një numër I madh I gjobave, ku diku afër 4 mijë gjoba janë për persona juridik, ndërkaq, të tjera, 2 mijë e më shumë janë për persona fizik. Mirëpo, shihet se këto, masa, këto gjoba fatkeqësisht ndihmuan që ta ulim numrin për parandalimin e sëmundjes. Nuk është masa më e dëshiruar, mirëpo qëllimi kryesor u arrit, Është një numër I madh I bizneseve që janë mbyllur me masë të përkohshme”, theksoi ai.

Kadriu ka shtuar se produktet ushqimore të cilat importohen i nënshtrohen një kontrolli të detajuar në pikat e kufitare, ku bëhet edhe monitorimi i tyre në vazhdimësi. Ai thotë se më 2021 janë mbi 56 mijë ngarkesa të kontrolluara në pikat kufitare, prej tyre 43 mijë ngarkesa me produkte jo-shtazore.

Derisa bëri të ditur se AUV ka proceduar 150 lëndë në gjykata për kundërvajtje dhe për shkelje të tjera.

AUV aktualisht ka diku 170 inspektorë, ku nga janari kjo Agjenci nis kontrollin edhe me anë të sistemit të digjitalizuar, kontroll elektronik.

Lexo edhe

Video