Turqia pjesë e Panairit të Biznesit në Tiranë, synon të zhvillojë bashkëpunimin me Kosovën

Turqia pjesë e Panairit të Biznesit në Tiranë, synon të zhvillojë bashkëpunimin me Kosovën

Turqia po merr pjesë me nëntë kompani në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit në Tiranë. Në katin e parë të Pallatit të Kongreseve, për tri ditë, biznese të ndryshme turke në stendat përkatëse kanë prezantuar produktet e tyre.

Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë së Stambollit, Israfil Kuralay thekson për KosovaPress se ky është viti i tretë që po marrin pjesë në panairin e organizuar nga Klik Ekspo Group.

“Ne si Dhomë e Tregtisë së Stambollit kemi marrë pjesë edhe më parë në pesë panaire. Këto tre vitet e fundit kemi marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës. Sigurisht ne ndjejmë një kënaqësi të veçantë për pjesëmarrjen tonë në këtë panair. Një pjesëmarrje të cilën e kemi ndjekur me shumë kënaqësi”, thekson Kuralay.

Nënkryetari i Dhomave të Tregtisë në Stamboll flet edhe për rëndësinë e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Turqisë.

“Në fund të muajit dhjetor ne do të mirëpresim në Stamboll si Dhomë e Tregtisë, zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës dhe një ministër të Qeverisë së Kosovës. Si dy vende vëllezër ne kemi ende shumë gjëra për të bërë. Jemi të detyruar për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tregtare. Si dy popuj miq, që kanë tradita të përbashkëta, zakone të përbashkëta, duhet të përpiqemi sa më shumë që të forcojmë akoma më tej miqësinë tonë”, shprehet ai.


Përmes Panairit Ndërkombëtar të Tiranës ai thekson se janë të interesuar për të shtrirë tregun në masë të madhe në Kosovë.

“Sigurisht që edhe firmat turke kanë një aktivitet të madh në shumë vende të ndryshme të botës. Sivjet ne patëm një eksport prej 220 miliardë dollar. Ne dëshirojmë që edhe në Kosovë të zhvillojmë sa në tepër këtë bashkëpunim. Bashkëpunim, i cili është në të mirën e popullit të Kosovës dhe të Popullit të Turqisë”, shton ai për KosovaPress.

Kuralay thotë se në Turqi jetojnë një numër i madh i kosovarëve, e po ashtu edhe në Kosovë banorë nga komuniteti turk. Për këtë, sipas tij duhet të krijohen ura bashkëpunimi mes të dyja vendeve.

Në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit për herë të parë marrin pjesë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe vende të tjera. Ky është edicioni i 27-të i panairit, i cili ka nisur të mërkurën dhe përfundon nesër.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare janë sponsorë medial të këtij panairi. Të dyja me stendat e tyre janë pjesëmarrëse në Panairin Ndërkombëtar të Biznesit.

Lexo edhe

Video

error: