Turizmi, tregtia dhe industria, sektorët më të goditur nga pandemia në Shqipëri

Turizmi, tregtia dhe industria, sektorët më të goditur nga pandemia në Shqipëri

Pandemia Covid 19 goditi fort ekonominë Shqipërisë, veçanërisht vitin e kaluar, teksa efektet vijojnë të ndjehen edhe këtë vit si te sipërmarrjet ashtu edhe të individët si pasojë e masave kufizuese.

Rreth 89% e kompanive konfirmojnë pasojat shumë negative në aktivitetin e tyre, teksa turizmi, industria dhe tregtia rezultojnë edhe sektorët më të prekur.

Janë këto gjetjet e anketës së kryer nga Këshilli i Investimeve mbi vlerësimin e impaktit të pandemisë mbi biznesin në vend, ku morën pjesë 427 kompani nga të gjitha qarqet e vendit.

Sipas vrojtimit që përfshin periudhën kohore Prill 2020 – Prill 2021, më negativisht janë ndikuar sipërmarrjet me xhiro vjetore deri në 5 milionë lekë si dhe ato nga 8 deri në 14 milionë lekë, ndërsa 65% e bizneseve të anketuara deklaruan ulje me më shumë se 20% të xhiros së tyre.


Vetëm 8% e tyre deklaruan se kriza nuk ndikoi në xhiron e tyre, ndërsa 1.9% e kompanive përjetuan një rritje me më shumë se 5% të saj.

Pritshmëritë janë pesimiste për disa sektorë edhe për këtë vit, pasi sipas anketës 40% e bizneseve të pyetura presin rënie të të ardhurave në 2021, kryesisht sektorët e industrisë, ndërtimit si dhe shërbimeve.

Ndërsa më optimiste janë sipërmarrjet në tregti e turizëm që presin një rritje të xhiros pas goditjes që morën një vit më parë, si rrjedhojë e sezonit turistik.

Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara deklaruan se nga prilli i shkuar deri në prill 2021 kanë ndërprerë aktivitetin pjesërisht, ndërsa 15.2% e tyre u shprehën se e ndërprenë atë totalisht kjo veçanërisht në sektorin e turizmit.

Mungesa e klientëve, mungesa e likuiditet si dhe pamundësia për shlyerjen e detyrimeve tatimore renditen edhe si ndër problemet më të mëdha që po has biznesi këtë periudhë.

Lexo edhe

Video