Trump vendos për Richard Grenellin, ia beson këtë pozitë
Bota
Lexohet për: 3 min.
richard-grenell
13 orë më parë
Linku u kopjua

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.

“Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.

Grenell reagoi në platformën X: “Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.

Senatori republikan amerikan Bill Hagerty shprehu mbështetje për Grenellin, duke thënë në platformën X se ai do të “bëjë një punë të shkëlqyer duke u marrë me disa nga sfidat më të vështira të botës”.

Ndërkohë, mediat kanë shkruar se Grenell do të fokusohet gjithashtu te tensionet në Ballkan.

Gjatë mandatit të parë të Trump, Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.

Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të Trump.

Pasi bëri fushatë intensive për Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.

Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht Trump zgjodhi gjeneral lejtnantin në pension Keith Kellogg për atë detyrë.

Ai ishte i pranishëm kur Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në shtator. Grenell është shprehur në favor të një marrëveshjeje paqeje që do të ruante territorin e Ukrainës megjithatë do të lejonte “rajone autonome” ku Rusia mund të mbetet në kontroll.

Ai ka këshilluar gjithashtu kundër zgjerimit të NATO-s përfshirë anëtarësimin e Ukrainës, duke thënë, ashtu si edhe Trump, se aleanca nuk duhet të zgjerohet derisa anëtarët aktualë të përmbushin objektivat e shpenzimeve të mbrojtjes të aleancës. Anëtarët e aleancës transatlantike janë zotuar prej vitesh të shpenzojnë 2% të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, por disa vende ende nuk e kanë arritur këtë objektiv.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024