Trofeu i UECL prezantohet para tifozëve në qendër të Tiranës

Trofeu i UECL prezantohet para tifozëve në qendër të Tiranës

Të mërkurën me fillim nga ora 21:00 në stadiumin “Air Albania” në Shqipëri do të zhvillohet finalja e Ligës së Konferencës ku do të ballafaqohen Roma dhe Feynoordi.

Tashmë po bëhen përgatitjet e fundit para ndeshjes derisa tifozët e të dy ekipeve janë duke arritur në Tiranë, përcjellë KosovaPress.

Trofeu i UEFA Conference League është ekspozuar sot në qendër të Tiranës për publikun përmes një ceremonie të zhvilluar në sheshin Skënderbej ku morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, Ambasadori shqiptar i finales së UEFA Europa Conference League, Lorik Cana si edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

I shoqëruar në masa të rrepta sigurie trofeu u vendos në shesh, ku të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë një foto dhe të kenë një kujtim me simbolin kryesor të kësaj finaleje të madhe evropiane që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.


Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë Presidenti Duka u uroi mirëseardhjen në Shqipëri të gjithë tifozëve, duke i siguruar se do ta shijojnë këtë festë të futbollit. Gjithashtu, Presidenti i FSHF-së tha se ky event shumë i rëndësishëm ndërkombëtar vjen pas një pune të madhe të bërë nga federata.

“Mirë se keni ardhur sot në këtë event të rëndësishëm. Për ata që janë të huaj, mirë se keni ardhur në Tiranë, mirë se erdhët në Shqipëri. Sot është një ditë e veçantë, një ditë e bukur për ne, për mua, për Erionin, për Lorikun që prezantojmë për herë të parë trofeun e parë të Conference League. Është një ditë e veçantë për Tiranën, ditë fantastike sepse e pret këtë trofe për herë të parë. Është një ditë e bukur për ata që kanë vizituar Tiranën, Shqipërinë. Uroj që ne me sjelljen tonë, t’i bëjmë të huajt të vijnë e të vijnë përsëri në Tiranë. Sot është një ditë e bukur gjithashtu për futbollin shqiptar që pas një pune voluminoze, arriti një objektiv madhor që të ketë një trofe të rëndësishëm dhe një aktivitet të rëndësishëm. Uroj që të gjithë bashkë, holandezë, italianë, kombësi të tjera, shqiptarë që jemi shumë mikpritës ta shijojmë këtë aktivitet, ta shijojmë këtë finale dhe mos të jetë i fundit për ne shqiptarët. I uroj suksese ekipit të Romës dhe ekipit të Feyenoordit dhe uroj që të dyja ekipet ta zbukurojnë akoma më shumë këtë festë. Uroj spektakël dhe fair-play. Faleminderit dhe ta shijojmë të gjithë bashkë!”, – tha Presidenti Duka në fjalën e tij.

Ndërsa, Ambasadori shqiptar i UEFA Conference League, Lorik Cana shprehu krenarinë që finalja e këtij kompeticioni do të zhvillohet në Shqipëri dhe u uroi sukses të dyja skuadrave finaliste.

“Mirë se keni ardhur në Tiranë. Jemi kryeqyteti i futbollit, për ditën e sotme dhe të nesërme të paktën. Për herë të parë, në edicionin e parë kemi kënaqësinë dhe krenarinë të mirëpresim dhe të prezantojmë trofeun e Conference League. Për të huajt që nuk kanë qenë, t’i presim në mënyrë sa më të mirë, të festojmë dhe fitoftë më i miri”, – tha Lorik Cana.

Lexo edhe

Video