Tri vjet burgim ndaj personit për rrezikim të trafikut me fatalitet në Ferizaj

Tri vjet burgim ndaj personit për rrezikim të trafikut me fatalitet në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues me tri vjet burgim ndaj të pandehurit I.J. i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprave penale rrezikimi i trafikut publik dhe mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik.

Gjykata njofton se gjyqtari individual i Divizionit Penal, pas mbajtjes së shqyrtimit fillestar, të pandehurin e shpalli fajtor dhe i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tri vjetësh.


“I pandehuri akuzohet se: “Më 31 tetor 2021, rreth orës 21:54 në rrugën magjistrale Shtime – Ferizaj, duke drejtuar automjetin e tipit “BMW”, në të cilën kanë qenë edhe pasagjerët Sh.J., R.V., dhe D.A., me të arritur në fshatin Ll., nga pakujdesia shkel ligjin për trafikun publik, duke mos i`a përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve dhe rrethanave në rrugë në vendbanim në mënyrë që të ndalet me kohë para çdo pengese që mund të paraqitet, për pasojë derisa i ndjeri N.M., ka qenë duke lëvizur – trupuar rrugën nga ana e majtë dhe me të arritur në skaj të rrugës në anën e djathtë, e godet me pjesën e parë të anës së djathtë duke e rrëzuar në tokë, si rezultat i së cilës fillimisht i ndjeri dërgohet në Qendrën Emergjente në Ferizaj, pastaj dërgohet në QKUK në Prishtinë, ndërsa më 7 nëntor  2021 ka ndërruar jetë”, – me të cilën ka kryer veprën penale rrezikimi i trafikut publik nga neni 370 paragrafi 9 të KPRK-së”, thuhet nw njoftim.  

Gjithashtu sipas gjykatws, “me datë, kohë dhe vend të njëjtë si në pikën e I, si ngasës i automjetit, nuk ofron ndihmë personit të lënduar – tani të ndjerit N.M., duke ikur nga vendi i ngjarjes, duke e lëndë të ndjerin pa i ofruar ndihmë si dhe nuk ka njoftuar emergjencën – ndihma e parë dhe policinë dhe për pasojë personi i lënduar pas disa ditëve ka ndërruar jetë”, – me të cilën ka kryer veprën penale mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik nga neni 374 paragrafi 3 të KPRK-së.

Të pandehurit I.J., me aktvendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar sipas këtij aktgjykimi.

Lexo edhe

Video