Transport publik nuk ka as nesër, paralajmërohet protestë për të premten në Prishtinë

Transport publik nuk ka as nesër, paralajmërohet protestë për të premten në Prishtinë

Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa të premten Shoqata e Transportuesve Rrugorë të Udhëtarëve do të organizojë një protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa të premten, në orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë, në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.

“Greva do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa nga pasnesër do të ndryshojë forma e grevës, do të mbajmë protestë ku (pronarët e autobusëve) autobusët nga të gjitha rajonet e Kosovës do të defilojnë në Prishtinë pa e penguar komunikacionin dhe pa i penguar qytetarët, për të protestuar kundër qeverisë për mos zbatim të kësaj marrëveshje”, tha Kurtishaj.

KosovaPress ka siguruar edhe marrëveshjen e arritur ndërmjet kësaj shoqate dhe Qeverisë së Kosovës më 28 janar të këtij viti, ku thuhet se “palët janë dakorduar që transporti ndërurban të mbështetet bazuar në kilometrat e mbajtura sipas rendeve të udhëtimit të vërtetuara nga Ministria e Infrastrukturës”. 


Kreu i shoqatës tha se kërkesat e tyre janë të njohura për Qeverinë që prej verës së kaluar.

“Kërkesat tona qeveria i ka jo tash, por duke filluar nga data 28 korrik dhe menjëherë pas këtyre kërkesave tona, ne edhe më tutje i kemi besuar qeverisë, kemi zhvilluar dialogun, kemi qenë partner i qeverisë për masat që janë ndërmarrë për mbrojtje nga COVID-19, si dhe për të zbatuar të gjitha vendimet e qeverisë që ka dalë edhe për sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve”, tha Kurtishaj.  

Ai iu ka kërkuar falje qytetarëve për mungesë transporti publik këto ditë, siç tha, qoftë për punëtorë dhe nevoja shëndetësore.

“Mendoj se për këtë çështje duhet të mendojë qeveria dhe numri sigurisht është i madh i qytetarëve, të cilët për shkak të mos përmbushjes së kësaj marrëveshje nga ana e Qeverisë, sot për sot kanë mungesë të transportit për të realizuar qëllimet e tyre qofshin ato shëndetësore ose të punësimit”, tha ai.

Kurtishaj po ashtu tha se ka unitet nga pronarët e autobusëve në të gjitha qytetet për të vazhduar edhe më tutje me grevën dhe protestën deri në realizmin e marrëveshjes.

Video

1 Koment

  • […] Transport publik nuk ka as nesër, paralajmërohet protestë për të premten në Prishtinë Transporti publik në grevë, paralajmëron nisjen e mbi 1 mijë autobusëve drejt objektit të qeverisë […]

Komentet janë të mbyllura.

error: