Tragjedia në Kroaci, familja Binakaj hap dyert për ngushëllime

Familja Binakaj në fshatin Devë të Gjakovës humbi dy familjarë në aksidentin në Kroaci, ndërkohë edhe tre anëtarë të tjerë të familjes u lënduan. Familja Binakaj tashmë ka hapur dyert për ngushëllime për vajzën e djalit që jeton në Gjermani, Erletën dhe gruan e tij, Violetë Zhubi Binakajn, që humbën jetën në aksident.

Xhaxhai i Erletës, Rasim Binakaj, tregon për KosovaPress se kjo do të ishte vizita e dytë e mbesës dhe nënës së saj në Kosovë brenda këtij viti, por që fatkeqësisht tashmë po i presin trupat e tyre të pajetë. Ai tregon edhe për mënyrën sesi u informuan për tragjedinë.

“Ne fillimisht jemi njoftuar për aksidentin dje në mëngjes nga vëllai. Vëllain e ka informuar çika e tij që ka qenë në aksident edhe na ka informuar pastaj ai neve. Në mbrëmje na ka informuar vëllai që Erlinda Binakaj, vajza e vëllait dhe Valentina Zhubi Binakaj, gruaja e vëllait kanë ndërruar jetë”, tha ai.

Ai thotë se familjarët e tyre që jetojnë në Gjermani kanë udhëtuar shpeshherë me autobus.


“Kanë qenë edhe njëherë sivjet, tash kanë pasur të vijnë përsëri… Kanë udhëtuar shpesh me autobus, aeroplan, veturë”, tha ai.

Familja Binakaj po pret që tre anëtarët e tjerë të familjes që po udhëtonin në autobusin që u vetaksidentua të vijnë sa më parë në Kosovë. Rasim Binakaj thotë se po presin të njoftohen edhe për ardhjen e trupave të pajetë në Kosovë në mënyrë që të hapin edhe të pamën.

“Ende nuk e dimë, varet prej qeverisë… Ne i kemi hapur dyert për ngushëllime, hala të pamën nuk e kemi hapur. Po presim me e bë të ditur të pamën sa do të jetë kur të vijnë trupat”, tha ai.

Ditën e diel, në një aksident trafiku në Kroaci kanë mbetur të vdekur 10 bashkatdhetarë, të cilët ishin nisur për pushime te familjet e tyre në Kosovë. Shumë nga udhëtarët mbetën të lënduar, teksa trupat e personave të pajetë pritet që të vijnë në vend.

Lexo edhe

Video

3 Comments

Komentet janë të mbyllura.