Totaj i bindur në fitore: Do ta funksionalizoj zonën ekonomike

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj gjatë një takimi me biznese ka prezantuar programin për ekonomi.

Totaj i shoqëruar nga kryetari i ri i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka thënë se prioritet në mandatin e tij mbetet zhvillimi ekonomik, turizmit dhe parandalimi i korrupsionit në këtë komunë.

Ai po ashtu tha se në mandatin e tij do të arrijnë ta finalizojnë zonën ekonomike në Prizren dhe do të krijojnë një fond prej 2 milionë euro për bizneset.


“Një pikë shumë të rëndësishme të cilën na e kanë kërkuar në shumë takime është funksionalizimi i Zonës ekonomike, e cila jo për ndonjë arsye ka mbetur pa u funksionalizuar deri më tani. Jam i bindur që në mandatin e ardhshëm do ta funksionalizojmë këtë zonë ekonomike… Në anën tjetër kemi në plan me krijua një Fond nga burimet vetanake të komunës për mbështetjen e ideve të reja për biznes. Ai fond do të jetë dy milionë euro… Po ashtu kemi në plan krijimin e një hapësire për të rinj, ku do të kenë mundësi të rinjtë t’i zhvillojnë idetë e tyre për teknologji informative. Po ashtu në planin tonë ekonomik kemi edhe zhvillimin e turizmit. Kemi mundësi, kemi asete”, theksoi ai.

Kryetari i ri i Mitrovicës, Bedri Hamza tha se është i bindur së më 14 nëntor fitues i zgjedhjeve në Prizren do të jetë Shaqir Totaj.

“Besoj në vlerësimin dhe gjykimin e drejt të qytetarëve të Prizrenit. Besoj shumë në fitoren e Totajt më 14 nëntor. Besoj shumë për një ekip që do të jetë në shërbim të qytetarëve të Prizrenit dhe të bizneseve. Derisa nuk i respektojmë bizneset nuk do të ketë bazë të fuqishme mbi të cilën ndërtohet komuna dhe shteti”, tha Hamza.

Shaqir Totaj në balotazhin që do të mbahet më 14 nëntor do të përballet me Mytaher Haskukën e LVV-së.

Lexo edhe

Video