Hetuesit e OKB-së kanë përpiluar një listë sekrete prej 4 mijë autorësh të krimeve të rënda në Siri dhe shpresojnë se rënia e Bashar al-Assad do të ndihmojë në sigurimin e përgjegjësisë në nivelin më të lartë.
Koordinatorja e Komisionit Hetimor të OKB-së për Sirinë (COI) Linnea Arvidsson tha se është shumë e rëndësishme që autorët kryesorë të krimeve të sillen para drejtësisë, raporton RFI.
COI ka mbledhur prova të krimeve të kryera në Siri qe nga fillimi i luftës civile në 2011 dhe ka përpiluar një listë të autorëve të dyshuar.
"Deri tani kemi rreth 4000 emra në listë," tha Arvidsson. Lista nuk u bë kurrë publike, por hetuesit ndanë detajet me prokurorët në juridiksionet që hetonin dhe paditnin kriminelët e dyshuar të luftës nga Siria.“Por deri më tani ata nuk kanë prekur autorët kryesorë. Tani hapet mundësia që edhe ata të mbajnë përgjegjësi”, shtoi ajo.
Damasku nuk i dha kurrë leje COI për të hyrë në Siri, por me largimin e Assadit, Arvidsson tha se ekipi shpreson se tani do të jenë në gjendje të kenë qasje.
COI shpreson se do të ndërmerren hapa për t'i dhënë juridiksionin Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të ndjekur penalisht krimet e kryera në vend.
Qeveria e re ka premtuar drejtësi për viktimat, duke premtuar se personat e përfshirë në torturimin e të burgosurve nuk do të falen, dhe u bëri thirrje vendeve të ekstradojnë cilindo nga kriminelët e arratisur, në mënyrë që të sillen para drejtësisë.