Tjetër hap i madh i Milanit drejt titullit, mposht edhe Veronën

Tjetër hap i madh i Milanit drejt titullit, mposht edhe Veronën

Milani ka arkëtuar tre pikë të reja dhe shumë të rëndësishme në luftën për titull pasi ka triumfuar ndaj Veronas si mysafir me rezultat 3-1 duke i rikthyer kështu në vendin e parë në tabelë.

Milani e filloi mirë ndeshjen duke e dominuar atë si dhe duke krijuar raste të mira për gol, por pësoi gol në minutën e 38’ kur një kundërsulm i shpejtë i Veronës u konkretizua me gol në mbrojtësi i krahut Davide Faraoni.

Kur po mendohej Verona po shkonte në pushim me epërsinë e një goli, në skenë doli mesfushori Sandro Tonali që barazoi në 1-1 në minutat shtesë.


Në pjesën e dytë “Rossonerët” treguan futboll edhe më cilësorë dhe ia dolën që të shënonin edhe dy gola, transmeton KosovaPress.

Tonali ishte sërish protagonist duke shënuar golin e dytë personal pas një solo-aksioni të ndërtuar nga Rafael Leao.

Golin e sigurisë për skuadrën e Piolit e realizoi Alessando Florenzi me një gol të bukur tre minuta pa përfunduar ndeshja.

Kjo fitore e rikthen Milanin në vendin e parë me 80 pikë, dy më shumë se Interi kur janë edhe dy ndeshje deri në mbyllje të kampionatit italian, Serie-A.

Lexo edhe

Video