Tifozët presin fitoren e Kosovës kundër Greqisë

Pas një kohe të gjatë tifozët dardanë sonte do të jenë të pranishëm në stadiumin “Fadil Vokrri” për ta mbështetur kombëtaren e Kosovës kundër Greqisë.

Edhe pse numri i tyre do të jetë vetëm 400 për shkak të pandemisë COVID-19, ata janë të gatshëm për ta dhënë mbështetjen e fuqishme dhe besojnë fuqishëm në një fitore të Kosovës.

Liridon Musaj shprehet i lumtur që është pjesë e dardanëve ndërsa thotë se beson fuqishëm te fitorja e Kosovës.

“Na gëzon shumë fakti që jemi dardan së pari, jemi shumë të gëzuar, shumë të lumtur… Ndeshjen besoj se të gjithë shqiptarët do ta kenë një zemër të madhe, do të fitojmë, shpresojmë të fitojmë dhe besojmë më së shumti te fitorja sepse jemi gjak i nxehtë dhe besoj se me gjak do ta fitojmë këtë lojë… Për mendimin tim Greqia nuk do të jep gol hiq së pari pastaj me sa të mundemi,” tha Musaj për KosovaPress.


Bardh Krasniqi thotë se prania e tifozëve në tribuna është një përparësi e madhe derisa thekson se Kosova do të fitojë me rezultat 2-1.

“Është shumë përparësi e madhe dhe mezi po presim të jemi në stadium… Është vendim i duhur se për shkak të pandemisë, është zgjedhje e mirë… Rezultati 2-1 për Kosovën, mendoj”, tha Krasniqi.

Ibrahim Morina thotë për KosovaPress se ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Greqisë do të prodhojë shumë gola dhe një fitore të Kosovës.

“Është hera ime e parë që po vij në “Fadil Vokrri” dhe po ndihem shumë krenar dhe mezi po pres të fillojë ndeshja… Me shumë gëzim dhe shpresoj që jo vetëm 10 për qind, por 50 për qind, 90 për qind, 100 për qind dhe 1 për qind po të jemi do të japim maksimumin për trimat tanë… Mendoj që ndeshja me Greqinë do të jetë spektakolare, pra shumë gola dhe vetëm fitore,” tha Morina.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Greqisë fillon nga ora 20:45.

Lexo edhe

Video

error: