Thaçi: S’kam kryer krime, ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit

Thaçi: S’kam kryer krime, ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sonte u është drejtuar qytetarëve të vendit për herë të parë pas propozim-aktakuzës nga Specialja për kinse krime lufte. Ai ka thënë se ligjin e vetëm që ka shkelur është ai i kriminelit Sllobodan Millosheviq, teksa ka bërë të ditur se do të jep dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

Ai në një video-incizim prej rreth 18 minutash adresuar qytetarëve ka thënë se gjatë karrierës së tij gabime politike në paqe mund të ketë bërë, por krime lufte asnjëherë.

Thaçi ka thënë se edhe po të kthehet mbrapa në kohën, të cilën e ka quajtur të zezë të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, do të bënte të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar.

Ai ka thënë po ashtu se mbi dy dekada i ka mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim sipas tij, mbetet i njëjtë edhe sot: “Kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me vote”.

Presidenti i vendit tha se megjithatë nuk dëshiron të zgjatet sot me këtë temë krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.

Ai tha se në këto dy dekada ka pasur privilegjin të ketë mbështetjen e shumicës prej qytetarëve, duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Natyrisht, në këto dy dekada, ai tha se pa dashje, ka bërë edhe ndonjë lëshim.


“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit. Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor. Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime. Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer vendit dhe juve qytetarë të dashur. Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh. Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them: Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar. Përkulem para besimit tuaj”, tha presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë, por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Thaçi tha se ky është një kapitull i ri edhe për të dhe në këto momente ende nuk e dinë se sa i vështirë do të jetë.

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh”, tha ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka thënë se nëse aktakuza konfirmohet, menjëherë do të jep dorëheqje si president.

 

 

Lexo edhe

error: