Thaçi nuk deklarohet për aktakuzën e re, thotë se nuk paraqet rrezik politik për askënd
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Hashim-Thaci
1 muaj më parë
Linku u kopjua

(I plotësuar) Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në paraqitjen e tij të parë në rastin e ri të ngritur kundër tij dhe tre të akuzuarve të tjerë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nuk është deklaruar për aktakuzën, duke thënë se ende nuk e ka lexuar atë dhe se do të përgjigjet në kohën e paraparë me ligj.

Thaçi tha se tash e 4 vite përballet me një proces tjetër gjyqësor dhe shoqëria kosovare, familja e tij dhe ai presin me padurim përfundimin e atij procesi në të cilin pret drejtësi.

“Me aktakuzën e re u njoftova papritur. E di që Kosova është në prag të zgjedhjeve të përgjithshme por unë jam pjesë e garës elektorale, nuk paraqes rrezik politik për askënd, prandaj kërkoj edhe sot, unë besoj dhe respektoj Kushtetutën  dhe ligjet e Republikës së Kosovës dhe kërkoj nga të gjithë ju që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës sepse Dhomat e Specializuara janë produkt i institucioneve të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se e kupton aktakuzën por nuk e ka lexuar, andaj lidhur me fajësin apo pafajësinë e tij, do të përgjigjet me kohë, sipas ligjit të paraparë.

Ndërkohë, gjykatësja e procedurës paraprake dha vendim që Thaçi të vazhdojë të mbahet në paraburgim.

Një seancë tjetër është mbajtuar edhe ndaj të pandehurit Bashkim Smakaj, i cili nuk është vetdeklaruar lidhur me aktakuzën, duke thënë se do të përgjigjet në afatin ligjor e paraparë prej 30 ditëve, pasi dëshiron t’i shikojë të gjitha dokumentet të cilat ende nuk i ka marrë.

Edhe Fadil Fazliu ka thënë se është konsultuar edhe me avokatin e tij dhe është i pafajshëm.

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur që të shtyjnë për të hënën me 9 dhjetor 2024, paraqitjen e parë të Isni Kilaj në çështjen ku ai po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengimi të drejtësisë.

Më 29 nëntor 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake e Dhomave të Specializuara të Kosovës konfirmoi aktakuzën dhe më pas lëshoi katër fletarrestime dhe një fletëthirrje.

Në aktakuzë pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn,  Fazliun dhe Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në kontekstin e gjykimit aktual Thaçi dhe të tjerët.

Në aktakuzën e konfirmuar, kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Seanca e paraqitjes së parë të Hajredin Kuçit është caktuar për ditën e hënë, 9 dhjetor 2024, në orën 10:00.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025