Thaçi: Njohja reciproke me Serbinë vetëm në Uashington, përpjekjet tjera janë të kota

Thaçi: Njohja reciproke me Serbinë vetëm në Uashington, përpjekjet tjera janë të kota

Viti i Ri hebraik i bëri sot bashkë presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kryeministrin Avdullah Hoti dhe liderin e LVV-së, Albin Kurtin. Ani pse nuk patën komunikim mes vete, këta të fundit kanë uruar popullin hebraik, duke theksuar se kjo festë këtë vit është më e veçantë për vendin, meqë shënon njohjen Kosovë – Izrael.

Në shënimin e Vitit të Ri hebraik, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i është drejtuar me një letër qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit hebraik në Kosovë, duke thënë se vënia e raporteve diplomatike, mes Kosovës dhe Izraelit, nisin një epokë të re të bashkëpunimit mes dy popujve.

“Në këtë Vit të Ri, e zgjat dorën time të miqësisë për popullin e Kosovës. Zhvillimet e fundit mes Izraelit dhe Kosovës mund të jetë një fillim i një epoke të re, nga e cila do të përfitojnë popujt e dy vendeve. Jam optimist se mund të arrijmë aq shumë duke punuar së bashku, dhe është shpresa ime e sinqertë se do ta shohim këtë të realizohet. E vlerësoj thellësisht angazhimin e vazhdueshëm të komunitetit hebraik në Kosovë për të afruar”, thuhet në letrën e Netanyahut.

Gjatë shënimit të kësaj feste, me një video-mesazh është drejtuar edhe ambasadori Richard Grenell, i cili ka përshëndetur të dyja vendet pas njohjes reciproke.

Presidenti Thaçi tha se me marrëveshjen për normalizim ekonomik, të arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Donald Trump “arriti të pamundurën”. Me njohjen reciproke mes Kosovës dhe Izraelit, kreu i shtetit theksoi se do të përfitojë Ballkani Perëndimor dhe i gjithë globi.

“E mirëpresim dhe do të punojmë fuqishëm për vënien e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona, sa më shpejt që është e mundur. Kam besim të plot që edhe mesazhi të cilin do ta dëgjojmë tani kryeministri Netanyahu do të jetë në këtë drejtim. Kjo ngjarje vjen në një moment historik për të dy vendet, edhe Kosovën edhe Izraelin. Por në veçanti pasi ky vit hebraik po shënohet në një moment të rëndësishëm pas arritjes së marrëveshjes së Uashington. Një marrëveshje kjo që ka karakter ekonomik, sigurisë, por edhe të njohjes reciproke mes Kosovës dhe Izraelit”, ka deklaruar Thaçi.

Ndër tjera, presidenti i vendit shtoi se njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit ka një rëndësi strategjike për Kosovën, pasi kjo e fuqizon shtetin e Kosovës.


“Në kohën kur ambasadori Grenell e filloi, ishin shumë skeptik. Në kohën kur ambasadori Grenell përpiqej maksimalisht që kjo që ndodhi tani, ne kishim shpresën dhe optimizmin se ishte shpresa adresa e duhur ku mund të finalizohej në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump bëri të pamundurën që të ndodhë e mundura. Bëri atë që tjerët për 20 vjet nuk e bënë. Derisa shihet se po mund të ndodhë normalizimi ekonomik në Uashington, kam besim të plotë se mund të ndodhë edhe normalizimi politik dhe njohja reciproke mund të ndodhë vetëm në Uashington. Përpjekjet tjera janë të kota. Janë humbje kohe”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se Kosova është demokraci parlamentare, e cila garanton lirinë dhe barazinë fetare, për çka tha se e mirëpresin kulturën e popullit hebraik.

“Është festë e cila shënon njohjen reciproke, Kosovë-Izrael. Komuniteti hebraik i Kosovës është hallkë e rëndësishme në këto marrëdhënie tona. Ne do të vendosim së shpejti marrëdhëniet tona diplomatike me shtetin mik të Izraelit, dhe përtej kësaj do të thellojmë marrëdhëniet tona në çdo drejtim”, tha Hoti.

Ndërsa kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka uruar që në frymën e kësaj feste, besimi, miqësia, solidariteti dhe optimizmi, të shndërrohen në udhërrëfyes për të gjithë. Sipas saj, është lajm i mirë që më në fund edhe politika e arriti stadin e marrëdhënieve diplomatike për të kurorëzuar një miqësi, me njohje reciproke.

“Historia dëshmon që për një kohë të gjatë, por në veçanti shtatë dekada më parë, populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët i qëndruan pranë popullit hebraik, për t’i shpëtuar ata nga shfarosja. Para 20 vjetësh gjatë luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës po rrezikohej pikërisht nga shfarosja atëherë ishte populli i Izraelit dhe popujt demokratik anë e kënd botës, që i hapën dyert e tyre për refugjatët nga populli i Kosovës. Nuk ka dy popuj që I kuptojnë vuajtjet e njëri-tjetrit më mirë e më shumë se sa populli ynë këtu në Kosovë, dhe populli i Izraelit”, u shpreh ajo.

Në shënimin e kësaj feste ka qenë i pranishëm edhe ish-kryeministri Albin Kurti. Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Kosova mund të duket e vogël, por ka zemrën e hapur.

“Kosova nuk ofron pak, ajo ofron zemrën e vet të hapur, angazhim e përkushtim, për përparim të miqësisë në çdo sferë. Nga ekonomia deri te siguria, nga kultura deri te teknologjia. Kosova është edhe atdheu i hebrenjve si Demiri e Shkodra, të cilët flasin shqip si ne, por edhe hebrenjve nga gjuhësore të tjera. Ata kanë të drejta këtu po aq sa unë edhe secili tjetër”, tha Kurti.

Ndërkohë, kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, ka bërë të ditur se këmbimi i letrave për njohjen reciproke ndërmjet Izraelit dhe Kosovës do të ndodhë pasi që të nënshkruhen marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Bahrejnin sot në Uashington, shtete arabe këto me të cilat Izraeli ka arritur marrëveshje. 

Lexo edhe

Video

error: